Prokurori kishte vendosur ta hetonte në procedurë të rregullt të dyshuarin për vrasjen e mbrëmshme kur ishte raportuar për dhunë në familje muaj më parë

Personi i cili po dyshohet se kreu vrasjen e gruas së tij shtatzënë në oborrin e QKUK-së, në korrik të këtij viti ishte përballur me policinë, pasi që bashkëshortja e kishte raportuar për dhunë në familje.

Ai ishte intervistuar nga hetuesit policor ndërsa për rastin ishte njoftuar edhe prokurori kujdestar i shtetit në Ferizaj.

KALLXO.com mëson se i dyshuari nuk ishte dërguar në mbajtje as për 48 orë pasi prokurori kishte vendosur që ta hetonte të njëjtin në atë kohë në procedurë të rregullt.

Burime të KALLXO.com brenda policisë kanë treguar se i dyshuari është intervistuar nga organet e rendit ndërsa nuk është marrë ndonjë vendim nga prokurori kujdestar që të dërgohet në mbajtje i dyshuari S. H.

KALLXO.com mëson se policia kallëzimin penal e kishte dërguar më 22 korrik të këtij viti në prokurori.

KALLXO.com nga mëngjesi është duke raportuar në lidhje me detaje të reja në lidhje me rastin e mbrëmshëm që ndodhi në oborrin e QKUK-së.

Gjithashtu KALLXO.com raportoi se, Stacioni policor në Lipjan kishte pranuar sipas Gjykatës Themelore të Ferizajt dokumentin e urdhërit mbrojtës për gruan shtatzënë e cila u vra në oborrin e QKUK-së mbrëmjen e kaluar.

Ky urdhër mbrojtës kishte vlefshmëri deri në mars të vitit 2023.

Tri gëzhoja janë gjetur në vendin e ngjarjes nga ekipet e hetuesisë së Policisë së Kosovës ndërsa trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Gjykata Themelore në Ferizaj ka njoftuar se pas rastit që është raportuar nga viktima në korrik të këtij viti, në shtator Zyra për Mbrojtjen e Viktimave ka paraqitur kërkesë për mbrojtjen e viktimës.

Kërkesa sipas gjykatës është bërë saktësisht më 8 shtator të këtij viti.

“Gjykata pas mbajtjes së seancës së shqyrtimit të kërkesës së urdhrit mbrojtës, më datë 13.09.2022 ka lëshuar aktvendimin për urdhër mbrojtje me të cilën ka aprovuar kërkesën për urdhër mbrojtje të palës së mbrojtur dhe palës përgjegjëse i ka shqiptuar masat mbrojtëse sipas në kohëzgjatje prej gjashtë muajve duke filluar nga data 13.09.2022 deri më datë 13.03.2023”- thuhet tutje në përgjigjet e Gjykatës.

Gjykata në Ferizaj ka njoftuar se vendimi i është dorëzuar të gjitha palëve të përfshira siç janë mbrojtësit e të akuzuarit, palës së mbrojtur, mbrojtësit të viktimave, QPS –Lipjan, si dhe Stacionit Policor në Lipjan, i cili është urdhëruar që ta bëjë zbatimin e vendimit të urdhrit mbrojtës.

Gruaja e vrarë mbrëmë në korrik kishte raportuar bashkëshortin e saj në polici për dhunë në familje.

Mbrëmë drejtori i policisë në Ferizaj, Basri Shabani në një bisedë me KALLXO.com ka konfirmuar se viktima në rastin e raportimit të dhunës nuk kishte pranuar që të shkojë në strehimore por kishte zgjedhur që të shkonte te një familjar i saj në një komunë tjetër, përkatësisht në Lipjan.

KALLXO.com raportoi sot se i dyshuari kryesor, bashkëshorti i viktimës ishte dënuar në shtator të këtij viti për armëmbajtje pa leje.

Gjykata Themelore në Ferizaj ka konfirmuar për KALLXO.com se i dyshuari, më datë 23 shtator të këtij viti me një aktgjykim është shpallur fajtor për mbajtje në pronësi të armës pa leje dhe ndaj të njëjtit është shqiptuar dënimi me gjobë.

Vepra penale e armëmbajtjes pa leje është e dënueshme deri në 5 vjet burgim e cila mund të konvertohet edhe me gjobë maksimalisht deri në 7 mijë e 500 euro.

“Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7,500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet”- prasheh Kodi Penal i Kosovës.

Tutje sipas Gjykatës Themelore në Ferizaj, një tjetër rast i evidentuar për të dyshuarin S. H., është edhe ai i dhunës në familje i cili ishte raportuar në korrik të këtij viti në polici.

Më datë 10 gusht të këtij viti Prokuroria në Ferizaj ka ngritur aktakuzën për të dyshuarin për veprën penale të kanosjes më saktësisht neni 181 i Kodit Penal i lidhur me paragrafin 4 të këtij neni i cili thotë se “Kushdo që kryen vepër penale nga ky nen ndaj viktimës së ndjeshme ose me përdorim të armës, mjetit të rrezikshëm ose ndonjë sendi tjetër me të cilin mund të shkaktohet lëndimi trupor ose dëmtimi i rëndë për shëndetin, dënohet me burgim prej një (1) deri në pesë (5) vjet”.

Sipas përgjigjeve të Gjykatës në Ferizaj, i pandehuri në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 7 shtator nuk e kishte pranuar fajësinë në lidhje me veprën për të cilën ishte ngritur aktakuza.

“Mbrojtësi i të pandehurit S. H. më datë 26.09.2022 ka paraqitur kërkesë për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimit të provave. Gjykata më datë 18.11.2022, ka marr aktvendim dhe ka refuzuar kërkesën e mbrojtësit të të pandehurit për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimit të provave”- thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore në Ferizaj dhënë për KALLXO.com.

Vrasja e gruas shtatzënë në oborrin e QKUK, prokurori: Në vendin e ngjarjes janë gjetur tri gëzhoja plumbash