Foto-ilustrim

Rasti i armëmbajtjes pa leje i të dyshuarit për vrasjen e mbrëmshme lidhet me rastin e dhunës në familje që u raportua nga viktima

Më 6 korrik të këtij viti Hamide Magashi raportoi në Polici dhunën në familje nga burri i saj, Sokol Halili, i cili që nga mbrëmja e kaluar është duke u kërkuar nga organet e rendit për vrasje.

KALLXO.com ka kontaktuar me drejtorin e Policisë në Rajonin e Ferizajt, Basri Shabani, i cili konfirmoi se fillimisht ishte raportuar rasti i dhunës në familje ndërkohë është dyshuar se i njëjti mban edhe armë.

“Po, sepse ne kemi dyshuar për armë dhe më pas është bastisur shtëpia e tij dhe gjatë bastisjes iu ka konfiskur arma me gaz, pistoletë” – tha Shabani për KALLXO.com.

Në aktgjykimin që ka siguruar KALLXO.com thuhet se Sokol Halili që nga viti 2014 deri më datë 29 korrik 2022 në shtëpinë e tij ka mbajtur pa leje një pistoletë me gaz të kalibrit 9 mm.

Në anën tjetër aktakuza e ngritur për rastin e armëmbajtjes pa leje sipas aktgjykimit mban datën 25 gusht 2022, ndërsa shqyrtimi fillestar është mbajtur rreth një muaj më pas, më saktësisht më 23 shtator të këtij viti.  I akuzuari është dënuar me gjobë prej 300 euro për armëmbajtje pa leje.

Aktakuza për kanosje, e cila ndërlidhet me veprën penale të dhunës në familje, sipas Prokurorisë në Ferizaj është ngritur më 10 gusht të këtij viti.

Për këtë rast është mbajtur edhe shqyrtimi fillestar më 7 shtator 2022. Në këtë shqyrtim fillestar Sokol Halili nuk kishte pranuar fajësinë për veprën penale që akuzohej.

Mbrojtësi i Halilit më 26.9.2022 kishte paraqitur kërkesë për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimit të provave.

Gjykata më 18 nëntor 2022 ka marrë aktvendim dhe ka refuzuar kërkesën e mbrojtësi të të pandehurit për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtimit të provave.

Para refuzimit të kërkesës për hedhje të aktakuzës, më 8 shtator 2022, Zyra për Mbrojtjen e Viktimave në Ferizaj ka paraqitur kërkesë për lëshimin e urdhrit mbrojtës ndaj palës përgjegjëse Sokol Halilit për dhunë në familje.

Më 13 shtator Gjykata në Ferizaj kishte lëshuar aktvendimin për urdhër mbrojtje me të cilën ka aprovuar kërkesën për urdhër mbrojtje ndaj Hamide Magashit.

Urdhri mbrojtës ishte dërguar të institucionet QPS e Stacioni policor në Lipjan meqenëse viktima ishte duke qëndruar në këtë komunë te një i afërm i saj.

KALLXO.com ka tentuar që të marrë informacione nga prokurorja që kishte trajtuar rastin e dhunës në familje të Hamide Magashit, prokurorja Luljeta Bilalli.

E njëjta tha se rasti i armëmbajtjes pa leje ka qenë më vonë dhe nuk ka pasur informacione më herët për të.

Ajo madje nuk pranoi që të japë detaje në lidhje me veprimet që ka ndërmarrë për të trajtuar rastin në fillim.

“Të gjitha sqarimet mund t’i merrni zyrtarisht përmes emailit, kërkoni sqarime me email”- tha Bilalli në një bisedë me KALLXO.com.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime edhe nga ana e Prokurorisë në Ferizaj.

Deri në publikim të këtij shkrimi Prokuroria e Ferizajt nuk ka kthyer përgjigje në lidhje me kërkesat për sqarime në lidhje me rastin e dhunës në familje.

8 vjet mbajti armë në shtëpi, i dyshuari për vrasjen e gruas shtatzënë u dënua vetëm me 300 euro gjobë