Komandanti i KFOR-it, gjenerali Angelo Michele Ristuccia, Foto: KFOR

Komandanti i KFOR-it: Do të reagojmë nëse rrezikohet stabiliteti në Kosovë

Komandanti i KFOR-it, gjenerali Angelo Michele Ristuccia përmes një video mesazhi ka bërë të ditur se janë të përgatitur nëse rrezikohet stabiliteti I Kosovës.

“KFOR-i do të vazhdojë të kryejë misionin e tij. Dhe është plotësisht i përgatitur në përputhje me mandatin e OKB-së për të vepruar nëse rrezikohet stabiliteti, siguria dhe liria e lëvizjes”- ka thënë Michele Ristuccia.

Deklarata e komandantit Angelo Michele Ristuccia është bërë tri ditë para mbajtjes së zgjedhjeve në katër komuna në veri të Kosovës.

Zgjedhjet në veri të vendit do të mbahen më 23 prill dhe do të garojnë 11 kandidatë.

Situata e sigurisë ndryshoi në dhjetor të vitit të kaluar kur në zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor tentuan të nisnin punën zyrtarët e lartë të përzgjedhur nga Komisioni Qendror Zgjedhor për zgjedhjet që ishin planifikuar të mbaheshin më 18 dhe 25 dhjetor 2022.

Zyra e KKZ-së, në Mitrovicën Veriore ishte sulmuar me granata e mjete të tjera shpërthyese, ndërsa për këtë çështje ishte arrestuar ditë më pas edhe një ish- pjesëtar i Policisë së Kosovës.

Arrestimi i Pantiqit u shoqërua me incidente, e tensione të larta, u lëshuan sirena, pati sulme ndaj gazetarëve, policëve, shpërthime edhe barrikadim të rrugëve me makineri të rënda.

Në mesin e kandidatëve për kryetar të këtyre katër komunave  të certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve janë edhe dy gra.

Garës për të drejtuar Komunën e Leposaviqit nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i ka hyrë kandidatja Albulena Behluli Hetemi.

Ajo kundër kandidat do t`i ketë Aleksandar Jabllanoviq nga Patrija Kosovskih Srba dhe Lulzim Hetemin nga Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).

Për Komunën e Zubin Potokut janë vetëm dy kandidatë, Flatron Hasani nga LVV dhe Izmir Zeqiri nga PDK.

Ndërkaq për Komunën e Zveçanit janë 3 kandidatë, Ilir Peci nga PDK, Sladjana Pantoviq kandidate e pavarur dhe Fetah Peci nga LVV.

Për Komunë e Mitrovicës së Veriut, garës i ka hyrë Betim Osmani nga Inciativa Qytetare Mitrovica, Taulant Kelmendi nga PDK, si dhe nga LVV Erden Atiq.