Koloneli Gazmend Hoxha: Policët janë udhëzuar që të mos publikojnë fotografi nga veriu

Drejtori i Operacioneve të Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha në një intervistë për “Kallxo Përnime” ka treguar se zyrtarët policorë janë udhëzuar që të mos publikojnë fotografi që i bëjnë gjatë kryerjes së detyrave në zonën veriore të vendit.

Ai ka thënë se lidhur me këto postime, zyrtarëve iu është tërhequr vërejtja dhe se që nga atëherë ka pasur përmirësim në këtë aspekt.

“Është tërhequr vërejtja dhe çdokush që bie ndesh me parimet e policisë do të ndiqet për disiplinë, për punë. Ne kemi parë që ditëve të fundit nuk kemi pas raste tilla” – ka thënë Hoxha.

Ai tregoi se policëve iu janë dhënë udhëzime të qarta në mënyrë që të mos përsëriten rastet e njëjta.

“Ndoshta ka qenë shprehje e emocioneve, mirëpo policët tonë nuk guxojnë të bien në këto nivele” – thotë Hoxha duke shtuar se policët kanë marrë udhëzime që të mos përdorin fotografi apo simbole të tjera që mund të shihen si provokim apo kërcenim për qytetarët që jetojnë në këto pjesë.

Për çështjen e fotografive të policëve ka folur edhe Aleksandar Arsenijeviq, themelues i iniciativës qytetare “Mbijetesa Serbe”.

Ai në emisionin ‘Kallxo Përnime’ ka thënë se qytetarët serbë në veri nuk ndihen të sigurt dhe i njëjti ka prezantuar disa fotografi të Policisë së Kosovës në veri, duke thënë se nuk u japin ndjenjë sigurie serbëve të veriut.

“Qytetarët serbë kur i shohin të gjitha këto në rrjete sociale nuk ndihen të sigurt. Paramendojeni një polic serb në Prishtinë, në Graçanicë, t’i ngrejë 3 gishta, do ta varnin” – tha ai.

Ndërsa i pyetur përse nuk ka sjellë fotografi të serbëve me maska, që kanë sulmuar gazetarët,  Arsenijeviq ka thënë se nuk ka mundur t’i gjejë.

“Po t’i kisha gjetur do t’i kisha pru.. po ka.. unë nuk e arsyetoj dhunën. Unë po ju flas si ndjehen qytetarët, po ju transmetoj çfarë po ndodhë, pra askush nuk ndihet i sigurte” – tha ai.

Arrestimi i Dejan Pantiq, ish zyrtar policor serb, ka bërë që veriu i Kosovës të bllokohet nga barrikadat që nga 10 dhjetori i 2022-ës.

Për largimin e tyre janë deklaruar edhe krerët e shtetit e diçka e tillë është kërkuar edhe prej ndërkombëtarëve.

Kryeministri i Kosovës ka thënë më 11 dhjetor 2022 se janë në koordinim me KFOR për të vepruar në këtë drejtim.

KFOR po kërkon pak kohë që shpejtë ta kryej këtë punë ne po presim. Nëse pritja jonë për KFOR-in është zbutje le të quhet zbutje por për të mirën e përgjithshme jemi t`u e zgjedh rrugën më të mirë të mundshme” – ishte shprehur Kurti.

Mirëpo, deri më tani KFOR nuk ka dhënë përgjigje për të treguar edhe sa kohë i duhet për të intervenuar në largimin e barrikadave.

Përderisa Kurti edhe një deklaratë edhe për median britanike “The Guardian”, ku ka deklaruar se largimi i barrikadave mund të shkaktojë edhe pasoja, kështu që po duan të jenë të kujdesshëm.

Pas kësaj deklarate, në një video nga Rudarja, lideri i Listës Serbe, Goran Rakiq, përmes një porosie që ia ka dërguar Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti i ka numëruar edhe kushtet për largimin e barrikadave në veri.

Rakiq ka thënë se këto kushte përfshijnë lirimi e të gjithë serbëve të arrestuar, tërheqjen e të gjitha njësive nga veriu i Kosovës dhe ‘heqjen e të gjitha listave dhe listave sekrete për vrasjen e serbëve’.