Kilicdaroglu: Jemi këtu derisa të numërohet çdo votë

Kreu i opozitës në Turqi, Kemal Kiliçdaroglu, nga Partia Popullore Republikane, ka folur për herë të parë para kamerave të dielën në mbrëmje, teksa numërimi i votave për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare është drejt fundit, raporton BBC..

Në një fjalim të shkurtër, ai tha se partia qeverisëse, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim, po bllokonte sistemin duke paraqitur kundërshtime ndaj rezultateve ku Kilicdaroglu ka një numër më të madh votash.

“Mos e bllokoni vullnetin e kombit. Le të vijnë rezultatet dhe të gjithë i dinë rezultatet. Vendi nuk ka më durim për destabilitet. Nuk mund ta menaxhosh situatën me manipulim, mos ki frikë nga vullneti i popullit”- raportohet të ketë thënë Kilicdaroglu.

Ai përsëri u bëri thirrje vullnetarëve dhe zyrtarëve të partisë që të vazhdojnë monitorimin e numërimit, duke thënë: “Ne jemi këtu derisa të numërohet çdo votë.”

Turqia ka mbajtur zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, që po konsiderohen si votimet më të rëndësishme në historinë moderne 100-vjeçare të shtetit.

Kjo, pasi votimet e 14 majit ose mund ta rrëzojnë nga pushteti presidentin Recep Tayyip Erdogan dhe t’i japin fund rrugës gjithnjë e më autoritare të Qeverisë së tij, ose do t’i mundësojnë që të hyjë në dekadën e tretë në pushtet.