Foto: Denis Sllovinja / KALLXO.com

KFOR: U njoftuam nga Policia e Kosovës për arrestimin e tre serbëve një ditë pas ngjarjes

KFOR ka deklaruar se për arrestimin e tre serbëve të dyshuar për krime luftë në Kosovë, u njoftuan nga Policia e Kosovës një ditë pas ngjarjes.

Kjo u bë e ditur nga KFOR në një përgjigje për KALLXO.com.

“Arrestimi i tre serbëve të Kosovës më 20 shtator ishte komunikuar nga Policia e Kosovës vetëm një ditë pas kësaj ngjarjeje.”- thuhet në përgjigjen e KFOR.

Përgjigja e KFOR-it kujton deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jans Stoltenberg gjatë konferencës për media me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, i cili tha se “ka nevojë për koordinim dhe konsultime të ngushta ndërmjet autoriteteve në Prishtinë dhe KFOR-it për çdo dislokim që mund të ndikojë në qëndrimin tonë dhe sigurinë në Kosovë”.

Ai po ashtu bëri të qartë se KFOR pret konsultime me kohë dhe kuptimplote për çdo veprim të Forcës së Sigurisë së Kosovës apo Policisë së Kosovës që mund të ndikojë në mjedisin e sigurisë.

Në përgjigjen e KFOR për KALLXO.com tutje theksohet se Komandanti i KFOR-it, mbetet në kontakt të rregullt me Policinë e Kosovës dhe Misionin për Sundimin e Ligjit të udhëhequr nga BE-ja, në përputhje me procedurën për koordinim paraprak të rënë dakord tashmë ndërmjet këtyre subjekteve.

Ish-pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, Zoran Kostiq, Dragan Milloviq i njohur me nofkën Musa dhe Illija Elezoviq, janë tre serbët e arrestuar më 20 shtator nga Policia e Kosovës nën dyshimet për krime lufte. Ndaj tyre, Gjykata Themelore e Prishtinës të enjten ka caktuar masën prej një muaj paraburgim.

KALLXO.com ka siguruar dosjen ekskluzive të Prokurorisë Speciale, përmes së cilës ka kërkuar paraburgimin e të lartcekurve.

Në dosje thuhet se në mars të vitit 1999, një grup i policëve paramilitarë serbë janë vendosur në fshatin Reznik, më saktësisht në shtëpinë një personi.

Sipas dosjes, i dyshuari Zoran Kostiq ka qenë komandant i këtij grupi paramilitar dhe i njëjti ka udhëhequr çdo veprim të tyre.

Një ndër këto veprime, sipas dosjes ishte edhe masakra në familjen Ujkani, të cilën sipas dosjes e kishte udhëhequr i dyshuari Kostiq.

Dosja thotë se pas ekzekutimit të viktimave të kësaj masakre ishin djegur shtëpitë dhe trupat e viktimave nëpër shtëpitë e tyre në fshatin Reznik.

Sipas dosjes së gjykatës, i dyshuari Elezoviq në shkurt të vitit 1999 në fshatin Nakovc, i armatosur me snajper duke lëvizur me veturë ka shtënë në drejtim të viktimës S.F. duke e goditur të njëjtin në këmbën e majtë.

Sipas dosjes, të dyshuarit në bashkëkryerje me anëtarë të tjerë të forcave serbe i kanë ndarë meshkujt nga anëtarët e tjerë të familjes, të cilët i ngarkojnë në kamionë dhe më pas i dërgojnë në sallën e sporteve të Vushtrrisë, ku iu kishin drejtuar me fjalët se “kush ka para do t’i lirojnë”.

Ekskluzive: Dosja e tre të arrestuarve për krime lufte në zonën e Vushtrrisë