Foto: KALLXO.com

KFOR: Kemi dëgjuar dhe parë të shtëna në rrethinën e Zubin Potokut

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka reaguar pas raportimeve se ka pasur të shtëna në drejtim të tyre afër Zubin Potokut.

KFOR ka treguar se kanë dëgjuar dhe kanë parë disa të shtëna afër patrullës së tyre, por askush nuk është i lënduar dhe se makina nuk ka pësuar dëme materiale.

“Në këtë moment mund të konfirmojmë se pak orë më parë një patrullë e KFOR-it, derisa ishte në detyrë në rrethinën e Zubin Potokut, ka dëgjuar dhe parë disa të shtëna afër tyre. Askush nuk është lënduar dhe nuk ka pasur dëme në makinë” – ka thënë KFOR.

Tutje është thënë se tani janë duke i kontrolluar faktet dhe se nëse gjejnë diçka do të njoftojnë.

Reagim për gjuajtje me armë zjarri në Zubin Potok ka pasur edhe shefit të kabinetit të presidentës Vjosa Osmani, Blerim Vela, i cili ka reaguar kundër disa mediave serbe që janë duke raportuar, sipas Velës, rrejshëm për disa përleshje në Zubin Potok.

Pas tij ka reaguar edhe Policia e Kosovës. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë se nuk ka pasur ndonjë sulm ndaj Policisë në Zubin Potok.

“Nuk ka pasur ndonjë sulm ndaj Policisë së Kosovës, e as nuk ka pasur ndonjë shkëmbim zjarri mes Policisë së Kosovës, apo ndonjë grupi .PK-ja nuk ka pasur shkëmbim zjarri ndaj askujt” – ka thënë ai.

Në anën tjetër edhe Vela ka thënë se Policia e Kosovës nuk është përfshirë në asnjë përleshje, por sipas tij strukturat ilegale dhe kriminale të Serbisë po gjuajnë me armë.

Vela ka thënë se këto media janë në përpjekje për të nxitur konfrontim të armatosur në Kosovë.

“Mediat pro-regjimit të Serbisë janë në përpjekje për të nxitur konfrontim të armatosur në Kosovë, duke raportuar rrejshëm se përleshjet po ndodhin afër Zubin Potokut” – ka thënë ai.

Tash e disa ditë veriu i Kosovës i ka rrugët e bllokuara nga 11 barrikadat që janë vendosur pas arrestimit t ëish zyrtarit policor serb, Dejan Pantiq, i cili dyshohet për kryerje të veprave penale terroriste.

Lidhur me largimin e këtyre barrikadave krerët e vendit kanë thënë se janë në pritje të KFOR për të vepruar, ndonëse ditëve të fundit kanë thënë edhe se mund t’i largojnë vet ato nëse KFOR lajëmron për pamundësinë e një veprimi të tillë.