KFOR-i nuk i referohet Artane Rizvanollit si ministre

Komandanti i KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia, është takuar sot me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, me përfaqësues të ambasadave italiane dhe gjermane dhe të organizatave të mirëqenies sociale, me të cilët ka diskutuar për gjendjen e përgjithshme të minoriteteve në Kosovë.

Por, në njoftimin për këtë takim të publikuar në Twitter, KFOR-i nuk i është referuar Artane Rizvanollit si ministre.

“Komandanti i KFOR-it, MG Ristuccia, u takua me znj. Artane Rizvanolli nga Institucionet në Ekonominë e Kosovës, përfaqësues të ambasadave italiane dhe gjermane dhe të organizatave të mirëqenies sociale” – thuhet në njoftimin e KFOR-it.

Më tej, në njoftim thuhet se “ata kanë pasur një diskutim produktiv për gjendjen e përgjithshme të minoriteteve në Kosovë”.