Këshilltari i presidentes: Disa e trajtojnë kushtetutën e ligjet si 'llastiku'

Faton Peci, këshilltari i Ushtueses së Detyrës së Presidentes Vjosa Osmani, në një postim në facebook ka thënë se ushtrimi i një funksioni shtetëror nuk është çështje dëshire, por obligim kushtetues.

“Në rastin e pozitës së Presidentit, ky obligim është shumëfish më i madh sepse për dallim nga pozita e Kryeministrit e Kryetarit të Kuvendit, Presidenti nuk ka Zëvendës, që do të mund ta zëvendësonin. Pra, nuk lejohet të ketë vakuum institucional as edhe për një orë, e lëre për më gjatë. Pra, U.D. Presidentja Osmani ka bërë pikërisht atë që ia kërkon kushtetuta”, ka shkruar Peci.

Tutje Peci ka shkruar se disa i trajtojnë kushtetutën e ligjet si “llastiku”.

“I kuptueshëm një turfullim i tillë i tyre! Ama, mos harroni se tradita institucionale nuk ndërtohet mbi bazën emotive të situatave të krijuara. I pëlqeu dikujt apo jo, UD.Presidentja Osmani është aty sipas obligimit kushtetues dhe kjo duhet të jetë nder për gjithsecilin. Ajo aty nuk është vetëm. Ka pas vete afro 200 mijë vota, të cilat i japin legjitimitet përfaqësimit”, ka shkruar Peci.

Ai tutje në postimin e tij ka shkruar se shteti nuk mund të mbetet peng i qasjes përplot urrejtje që persona të caktuar, brenda e jashtë politikës, kanë ndaj Vjosa Osmanit.

“Transferi i pushetit është standard demokratik, ndaj është leksion i mësuar, të cilin nuk duhet ta anashkaloni”, ka shkruar Peci.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj deklaroi së pas situatës së djeshme nuk e kanë shqetësimin e sjelljeve të Vjosa Osmanit, duke refuzuar veprimet e saj një ditë pasi Hashim Thaçi dha dorëheqje nga kjo pozitë.

Kurse, sa i përket hyrjes në koalicion, Hoxhaj tha se për sa kohë PDK qëndroi në opozitë “qytetarët e kanë parë se të tjerët ofrojnë jostabilitet, josiguri, joparashikueshmëri”, duke shtuar se vetëm kjo parti është “shtylla e të ardhmes dhe stabilitetit që mund t’i ofrohet Kosovës”.

“Jemi në një situatë që nuk e kem shqetësimin se si sillet znj. Osmani në ngutësinë e saj për me marrë postin e presidentes e as hyrjes në koalicionit. Është konferenca e parë pas një dite dramatike që ka qenë dje… Nuk kemi këtë vëmendje, por shqetësimin është që qytetarët pas një viti të opozitës së PDK-së, e kanë pa që ofrojnë kjo qeveri ofron jo stabiltet dhe vetëm ne jemi shtylla e stabilitetit që mund t’i ofrohet Kosovës. Nuk kemi një shqetësim të tillë. Pritja e qytetarëve e drejtë, nuk mund të flas pa e pasur PDK një qëndrim unik”, u shpreh Hoxhaj.

Hoxhaj: Nuk e kemi shqetësim ngutësinë e Vjosa Osmanit për t’u bërë presidente