Hoxhaj: Nuk e kemi shqetësim ngutësinë e Vjosa Osmanit për t’u bërë presidente

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj deklaroi së pas situatës së djeshme nuk e kanë shqetësimin e sjelljeve të Vjosa Osmanit, duke refuzuar veprimet e saj një ditë pasi Hashim Thaçi dha dorëheqje nga kjo pozitë.

Kurse, sa i përket hyrjes në koalicion, Hoxhaj tha se për sa kohë PDK qëndroi në opozitë “qytetarët e kanë parë se të tjerët ofrojnë jostabilitet, josiguri, joparashikueshmëri”, duke shtuar se vetëm kjo parti është “shtylla e të ardhmes dhe stabilitetit që mund t’i ofrohet Kosovës”.

“Jemi në një situatë që nuk e kem shqetësimin se si sillet znj. Osmani në ngutësinë e saj për me marrë postin e presidentes e as hyrjes në koalicionit. Është konferenca e parë pas një dite dramatike që ka qenë dje… Nuk kemi këtë vëmendje, por shqetësimin është që qytetarët pas një viti të opozitës së PDK-së, e kanë pa që ofrojnë kjo qeveri ofron jo stabiltet dhe vetëm ne jemi shtylla e stabilitetit që mund t’i ofrohet Kosovës. Nuk kemi një shqetësim të tillë. Pritja e qytetarëve e drejtë, nuk mund të flas pa e pasur PDK një qëndrim unik”, u shpreh Hoxhaj.

Gjatë kësaj konference ai konfirmoi se zyrtarisht ka marrë pozitën e ushtruesit të detyrës së kryetarit të PDK-së.

“Kryesia e partisë ma ka besuar mua detyrën e ushtruesit të detyrës së kryetarit të partisë. Kjo është një përgjegjësi e madhe për mua e për këdo që do të gjendej në pozicionin tim. Një sfidë e cila mund të përballohet vetëm nëse forcojmë solidaritetin dhe unitetin brenda partisë”, ka thënë Hoxhaj.

Hoxhaj, më tej duke bërë thirrje për maturi dhe unitet, ka thënë se të gjithë duhet të veprojmë në interes të mbrojtjes së të arriturave të Kosovës së pavarur, luftës çlirimtare, UÇK-së dhe shtetit të Kosovës duke mos lejuar vakum e krizë politike apo institucionale.