Foto: Facebook

Këshilltari i Besnik Bislimit kërkon reagimin e ndërkombëtarëve për obligimet që duhet të përmbushë Serbia

Këshilltari për media i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, Klisman Kadiu, ka reaguar lidhur me deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili pas takimit me diplomatët Gabriel Escobar e Mirosllav Lajçak, tha se Serbia vazhdimisht ka qenë konstruktive për paqen në rajon.

Teksa ka përmendur “luftën e Serbisë me Kroacinë, Slloveninë, gjenocid e spastrim etnik në Bosnjë e Kosovë, ulje të nivelit të demokracisë, mospranim i shtetësisë së Kosovës etj.”, Kadiu ka kërkuar reagimin e ndërkombëtarëve për “konstruktivitetin” e presidentit serb.

Ai përmes një postimi në Facebook ka përmendur obligimet që sipas tij duhet t’i përmbushë Serbia.

Në mesin 15 obligimeve që ka listuar Kadiu është shuarja e strukturave paralele ilegale, mosndërhyrje në punët e brendshme të Kosovës, të mos e pengojë rrugëtimin e Kosovës drejt integrimeve evropiane etj.

Sipas tij, në këtë drejtim, Serbia ka berë edhe më shumë shkelje sesa këto që ai ka listuar.

Reagimi i plotë i tij:

Pas takimit me Lajcak e Escobar, Vucic thotë:
“Që nga dita e parë, Serbia ka qenë konstruktive, konsistente dhe partnere e qëndrueshme në të gjitha proceset që do të çonin në ruajtjen e stabilitetit në mbarë rajonin.”
Ndërkohë konstruktiviteti i Serbisë për paqe në rajon:
Luftë me Kroacinë, luftë me Slloveninë, gjenocid e spastrim etnik në Bosnjë e Kosovë, ulje të nivelit të demokracisë, lidhje të ngushta me grupe kriminale, ndërhyrje në punë brendshme në Mal të Zi e Kosovë, mospranim i shtetësisë së Kosovës, baza ushtarake përreth Kosovës, fluturimi i Mig-ave në kufi me Kosovën, ngritja e nivelit të gatishmërisë së ushtrisë serbe disa herë afër kufirit me Kosovën.
Thotë edhe se “Porosita se është koha që Prishtina përfundimisht t’i përmbushë obligimet e saj dhe mbi të gjitha formimin e Asociacionit të komunave serbe në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit”.
Po Serbia kur do i përmbushë obligimet e saj?
1. Shuarjen e strukturave paralele ilegale
2. Mosndërhyrje në punët e brendshme të Kosovës
3. Të mos e pengojë apo inkurajojë palë të treta që ta pengojnë rrugëtimin e Kosovës drejt integrimeve evropiane.
4. marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufirit;
5. marrëveshja për vulat doganore; 6. marrëveshja për njohjen reciproke të diplomave,
7. marrëveshja për zhbllokimin e linjave të interkonjeksionit,
8. marrëveshja për energjinë,
9. pjesë të marrëveshjes për telekomin; 10. marrveshja për vendosjen e zyreve ndërlidhëse;
11. marrëveshja për certifikatat fitosanitare
12. Dëftimet e premtimet e panumërta, që Serbia nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Republikës së Kosovës
13. Vota e Serbisë kundër aplikimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës
14. Lobimi i vazhdueshëm që Serbia dhe misionarët e saj e bëjnë kundër anetarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare
15. fushatat për çnjohjen e Republikës së Kosovës
Këto veç për të përmend disa prej tyre, shkelje ka edhe më shumë. Kur do reagojnë ashpër ndërkombëtarët për këtë “konstruktivitet”?