Kërkohet paraburgim ndaj të dyshuarit për vrasjen në Klinë

Prokuroria në Pejë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj Tush Frrokut, i dyshuar për vrasjen që ndodhi pasditen e 7 gushtit në një lokal në Klinë.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi.

Sipas tij, gjatë ditës së sotme pritet të mbahet seanca e procedurës paraprake.

“Është bërë kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit, prokurori i shtetit ka dorëzuar kërkesën në Departamentin për Krime të Rënda. Njëkohësisht, gjatë ditës së sotme do të mbahet seanca e procedurës paraprake, do të shqyrtohet kërkesa e prokurorit të shtetit që t’i caktohet masa e paraburgimit personit të pandehur, Tush Frrokaj”- ka thënë Nikçi për KALLXO.com.

I dyshuari për vrasjen në Klinë më 7 gusht, ishte në arrati deri më 15 gusht kur është dorëzuar në Polici në Pejë.

Dhjetëra bastisje në lokacione të ndryshme ishin kryer nga forcat e rendit që nga dita kur ishte shpallur në kërkim por Frroku nuk ishte gjetur.

Dyshohet se për këto 8 ditë ai ishte fshehur në një shtëpi të pabanuar në Burojë të Skenderajt.

Kështu ka thënë për KALLXO.com avokati i tij, Gani Kelmendi.

Avokati ka rrëfyer detaje për momentin e kontaktit me Frrokun, takimin me të dhe dorëzimin në Polici.

“Unë kam shku e kam marrë, ka qenë i strehuar në një shtëpi të pabanuar në fshatin Burojë, rreth orës 15:30 dhe jemi shku e kemi marrë. Kam shku e kam pritë, pas rreth 15 minutave ka dalë. Si në mal ka qenë, njëfarë djerrine. Ka dalë, ka ardhë në kerr, kemi ardhë rrugës, ka hëngër bukë, ka pi një kafe, ka ble cigare”- ka treguar avokati Kelmendi për KALLXO.com.

KALLXO.com publikoi pamjet ekskluzive të kapura nga kamerat e sigurisë të momentit kur Frroku i armatosur hyn brenda një lokali në Klinë, shkrep armën disa herë në drejtim të viktimës dhe del nga aty.

Pas rastit, Frroku dyshohet se me një veturë të një qytetari u largua nga vendi i ngjarjes drejt fshatit Kosh të Istogut prej nga është.