Prokuroria Themelore në Ferizaj

Kërkohet paraburgim ndaj gruas nga Ferizaj që tentoi të vriste burrin e saj

Prokuroria e Ferizajt ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit në institucionin e kujdesit shëndetësor ndaj të pandehurës e cila tentoi ta vriste burrin e saj.

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se e pandehura gjatë ditës së djeshme me dashje ka tentuar që ta privojë nga jeta tani të dëmtuarin – bashkëshortin e saj.

“E njëjta e sulmon me një mjet të përshtatshëm për shkaktimin e lëndimit të rëndë trupor- thikë, duke e goditur një herë në pjesën e qafës, ku si pasojë të dëmtuarit i shkaktohen lëndime trupore”, ka thënë Prokuroria.

I dëmtuari për shkak të lëndimeve është detyruar që të kërkojë ndihmën mjekësore fillimisht në Qendrën Emergjente në Ferizaj e më pas edhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.

KALLXO.com gjatë ditës ka raportuar për të njëjtin rast.

Policia kishte njoftuar se e dyshuara ishte arrestuar dhe ishte dërguar në mbajtje.