Logo e Universitetit të Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Kërkimet shkencore më afër publikut, Universiteti i Prishtinës lanson blogun "Insight"

Universiteti i Prishtinës, “Hasan Prishtina” ka lansuar blogun Insight.uni-pr.edu, i cili afron kërkimin shkencor me komunitetin e gjerë.

“Një dritare komunikimi e stafit akademik, hulumtuesve, zyrtarëve dhe studentëve të Universiteti i Prishtinës për t’ia shfaqur audiencës zhvillimet e fundit në shkencë, art, letërsi, sport, biznes dhe fusha të tjera, në një format praktik dhe kompakt”- thuhet në njoftimin e UP-së në Facebook.

Sipas UP-së, perspektiva akademike nga kërkuesit e saj shkencorë i ofrohet një audience të gjerë për ta kultivuar të menduarit, për të hapur debat, për t’i kontribuuar pasurimit të diskutimit publik dhe përparimit shoqëror.

Në prill të këtij viti UP kishte lansuar serinë e podcasteve #UPodcast, që është një iniciativë e Departamentit të Gazetarisë në UP.

Gjersa tri vjet më parë ky universitet kishte lansuar edhe radion, e njohur si “RadioUP”.