Universiteti i Prishtinës lanson serinë e podcasteve #UPodcast

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka lansuar serinë e podcasteve #UPodcast, që është një iniciativë e Departamentit të Gazetarisë në këtë Universitet.

Sot është publikuar episodi i parë i kësaj serie ku profesorët universitar Alban Zeneli, nga Departamenti i Gazetarisë dhe Eliot Bytyçi, nga Departamenti i Matematikës kanë trajtuar temën “Inteligjenca artificiale, përballë arsimit dhe sfidave shoqërore”.

Në një prononcim për KALLXO.com, profesori Alban Zeneli ka njoftuar se në këto podcaste do të trajtohen kryesisht tema për interesin e UP-së.

“Do të jenë kryesisht tema për interesin e Universitetit të Prishtinës për t’u trajtuar, kemi filluar me temën e Inteligjenca Artificiale dhe sfidat që i ka arsimi në raport me të, por do të vazhdojmë me tema që lidhen me UP-në” – ka njoftuar Zeneli.

Ai gjithashtu ka bërë të ditur se pritet që nga një episod i serisë së parë të realizohet çdo javë dhe që seritë të jenë të fushave të ndryshme.

“Ideja është që të realizohet çdo javë nga një episod i serisë së parë, pastaj shohim se si po zhvillohet, pretendimet janë që të bëhet me disa seri, me disa fusha si seri”-ka thënë ai për KALLXO.com.