Universiteti i Prishtinës lanson "RadioUP"

Studentët e Departamentit të Gazetarisë në Universitetit të Prishtinës mund të ushtrojnë njohuritë e tyre teorike në radion e re.

Universiteti i Prishtinës sot ka inauguruar programin eksperimental të radios në Ditën Ndërkombëtare të Radios në kuadër të 50-të vjetorit të  themelimit të UP-së.

Zëri i parë i “RadioUP”-së  ishte studentja e gazetarisë Flaka Zogu.

“ Përshëndetje të nderuar dëgjues të radios më të re në Kosovë, Unë jam Flaka Zogu studente e vitit të tretë, ndërsa ju po dëgjoni  “RadioUP”-në, tha Flaka Zogu prezantuesja e programit.

Ndërsa Rektori Marjan Demaj tha se Universiteti i Prishtinës që nga fillimi ka qenë prijës i ndryshimeve historike në Kosovë.

“UP do të vazhdojë këtë traditë me qëllim që përmes profesionalizmit dhe gazetarisë si mision shoqëror të transformojë Universitetin e shoqërinë”, tha Rektori Marjan Demaj.

Profesori  i gazetarisë, Milazimi Krasniqi ka thënë se një punë e tillë ishte palifikuar qysh dhjetë vjet më parë.

“ Po të ishte për ne kjo radio do të lansohej para dhjetë vjetëve, sepse para dhjetë vjetëve ka qenë, na i kemi pasur kapacitete e gatshme, por siç dihet universiteti ka kaluar nëpër shumë turbulenca, nëpër shumë vështirësi”, ka thënë Krasniqi.

Sipas tij, e gjithë puna është mundësuar nga vullneti i profesorëve dhe studentëve me mbështetje të Universitetit të Prishtinës.

Kjo do ju mundësojë studentëve të bëjnë punën e gazetarëve të radios.