Gashi: Kësaj qeverie po i afrohet fundi

Shefi i deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi ka thënë se Qeverisë së Kosovës në pushtet po i afrohet fundi.

Sipas Gashit, Kosova është në një situatë “delikate” teksa foli për qeverisjen qendrore, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

“Jemi në një fazë delikate në të cilën po kalon vendi, maksimumi i mundshëm kur Kurti do të jetë në pushtet është fundi i këtij viti. Zgjedhjet do të duhet të shpallen në fund të shtatorit, e të mbahen diku kah janari (2025), ky është kalendari i rregullt zgjedhor. Tashmë ka filluar numërimi mrapsht, po i afrohet fundi kësaj qeverisje dhe kur ne i kthehemi qytetarëve prapë”- tha ai.

Sipas Gashit, LDK-ja “qëndron mirë” sa i përket mbështetjes qytetare.

“Ne vazhdimisht bëjmë matje, mund të them qe në rajonin e Pejes dhe Prishtinës ku janë bërë matjet, LDK qëndron mirë. Matja është lokale, por pyetjet janë për nivel nacional”- tha ai.

Ai foli edhe për seancën e së enjtes thirrur nga PDK-ja, për çmimin e rrymës.

“Po fillon sesioni pranveror po si duket po fillon prapë një vështirësi, me një seancë të jashtëzakonshme lidhur me çmimet e larta të energjisë elektrike. Do të diskutohet pse kto fatura kaq të fryra. Njëjtën kohë vazhdojmë të kemi shqetësimin e njëjtë nga LVV për të bllokuar Komisionin për rezverat shtetërore”- u shpreh Gashi.