Spitali i Vushtrrisë

Kërcënohet me sulm Spitali i Vushtrrisë, e ruajnë forcat e rendit

Një kërcënim për sulm i bërë në formë anonome, ka trazuar mbrëmë Spitalin e Vushtrrisë. Policia me të marrë lajmin, ka shtuar masat e kujdesit duke qëndruar brenda oborrit të Spitalit gjatë gjithë natës. Mjekët dhe inferimerët, sipas burimeve të KALLXO.com, kishin marrë urdhër që të bëjnë kujdës të shtuar, ndërsa disa pacientë, pasi kanë mësuar për situatën, janë larguar nëpër shtëpitë e tyre, ndonëse ishin të shtrirë në Spital.

KALLXO.com ka kontaktuar me Drejtorin Mjekësor në Spitalin Rajonal të Vushtrrisë Ahmet Ademi i cili konfirmoi se kishin marrë kërcënime por jo direkte.

“Nuk e di saktësisht, ashtu edhe unë mora informacion në mëngjes edhe pse ne në mënyrë direkte nuk kemi pasur kërcënime. Nuk e di saktësisht qysh ka ardh ajo informatë, nga Mitrovica nëse nuk gaboj, por nuk e di saktë. Policia ka qenë këtu po diçka nuk ka pasur, puna është duke ecur normalisht. Ne personalisht nuk kemi pasur asgjë”, thotë Ademi.

Ai mohoi se ka pasur pacientë që kanë liruar spitalin pas kërcënimeve.

Në anën tjetër KALLXO.com ka biseduar edhe me Drejtoreshën e Policisë së Rajonit të Mitrovicës Afërdita Mikullovci.

“Jo nuk është që është kërcënu dikush. Ka qenë mesazh i përgjithshëm nga Drejtoria Qendrore. Është ngritur niveli i sigurisë në të gjitha rajonet”, tha shkurt Mikullovci deri sa na rekomandoi që për informacione shtesë të drejtohemi në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës.

KALLXO.com deri në publikimin e këtij shkrimi nuk ka pranuar përgjigje nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës në lidhje me rastin.