Termocentrali, 'Kosova A', KEK Foto: Gentiana Ahmeti, KALLXO.com

KEK konfirmon se ende janë në negociata për remontin e bllokut A5

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ende nuk ka nënshkruar kontratë për remontin kapital të njësisë A5.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i KEK, Skender Bucolli duke theksuar se janë në negociata me disa operator.

“Sa i përket remontit kapital të njësisë A5, ka filluar procedura e negociatave me disa operatorë të kualifikuar për remont të kaldajës dhe turbinës se kësaj njësie. Negociatat për këto dy aktivitete investive janë ne fazën e finalizimit” – tha Bucolli për KALLXO.com

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizavolli gjatë kësaj jave ka thënë se rikthimi në funksion i A5, i cili aktualisht është jashtë funksionit ‘duket se do të jetë e pamundur të ndodh para vitit të ri’.

”Aktualisht janë në funksion dy njësi të Kosova A dhe dy të Kosova B. Në A3 remonti kapital ka përfunduar dhe është kthyer në funksion, ndërsa në A4 remonti kapital ka përfunduar me 3 tetor 2022 dhe është në funksion. Njësia A5 është jashtë funksionit, në KEK janë duke shqyrtuar mundësitë që kjo njësi të kthehet në funksion sa më shpejtë të jetë e mundur, aktualisht duket se para vitit të ri do të jetë e pamundshme” – ka thënë mes të tjerave Rizvanolli.

Kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi  në emisionin, ‘Kallxo Përnime’ kishte thënë se rehabilitimi i A5 mund të zgjas deri në tre muaj pasi atij do t’i bëhet remont kapital.

Ai kishte treguar se brenda 2022-ës është hapur dy herë tenderi për remont të A5. Njëri në qershor, që ka qenë me procedurë të hapur, e për të cilin Krasniqi ka thënë se nuk ka pasur ofertues dhe ky që ende është në proces, por që është me procedura të negociuara.

Konsumi i energjisë elektrike gjatë sezonit të dimrit mund të shkojë deri në 1400 megavat ndërsa Korporata Energjetike e Kosovës nuk prodhon më shumë se 900 megavat duke e përfshirë edhe bllokun A5.

Kosova është duke u përballë me krizë energjetike që nga viti i kaluar. Në muajin gusht në vend kishin filluar reduktimet për shkak se KEDS kishte njoftuar se nuk ka mundësi financiare që të blejë energji elektrike nga jashtë.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli në njërin nga deklarimet kishte thënë se një megavat i energjisë elektrike në sezonin e dimrit mund të shkoj deri në 1,000 euro.