KEDS tregon nëse do të ketë rrymë për Vitin e Ri

Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka njoftuar të gjithë konsumatorët që është siguruar importi i nevojshëm për festën e ndrrimit të motmoteve.

Sipas tyre, sot konsumatorët janë duke u furnizuar pa kufizime të energjisë elektrike, përveç në disa lokacione.

Për të evituar secilën të papritur në rrjetin elektrik, KEDS thotë se ka mobilizuar qindra punëtorë anekënd Kosovës në mënyrë që të intervenojnë në kohën më të shkurtër të mundshme.

Por kompania thotë se fatkeqësisht, në disa vendbanime siç është Malisheva është e pamundur të vazhdohet me furnizim pa ndërprerje për shkak të kapaciteteve të kufizuara transmetive, që janë nën menaxhimin e KOSTT-it.

Po ashtu sipas tyre, sfidues mbetet edhe regjioni i Ferizajit, ku mund të shfaqen mbingarkesa për shkak të trendit të lartë të rritjes së konsumit.

“KEDS në këto raste kërkon nga të gjithë konsumatorët që të kursejnë maksimalisht energjinë elektrike sidomos gjatë këtyre ditëve festive. Kjo do të evitonte mbingarkesat eventuale dhe do të minimalizonte gjasat që të ndodhte ndonjë prishje. Së bashku është çdo gjë më e lehtë dhe mundësohet atmosferë shumë më e këndshme festive. Gëzuar 2022!”, njofton KEDS.

Qeveria e Shqipërisë kishte njpftuar se do t’i japë Kosovës megavat të energjisë elektrike për datat 31 dhjetor dhe 1 janar për të mënjanuar reduktimet e rrymës, për shkak të krizës energjetike me të cilën po përballet Kosova tash e disa ditë. 

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë, Belinda Balluku ka thënë se energjia e shfrytëzuar do t’i kthehet Shqipërisë gjatë stinës së verës.

Që nga 22 dhjetori, qytetarët e Kosovës po përballen me reduktime të energjisë elektrike.

Për shkak të situatës, Qeveria e Kosovës ka ndarë 20 milionë euro për importin e energjisë elektrike.