Foto: Ilustrim

Katër të arrestuar, dyshohen se ishin duke kontrabanduar kafshë

Tre persona janë arrestuar nga autoritetet e Kosovës dhe një tjetër nga ato të Shqipërisë nën dyshimin se ishin duke kontrabanduar kafshë.

Në njoftimin e Policisë së Kosovës është thënë se të dyshuarit kanë përdorur rrugët ilegale për të kontrabanduar në këmbë rreth 18 gjedhe nga territori i Kosovës në atë të Shqipërisë.

Ngjarja thuhet se ka ndodhur sot rreth orës 09:30 në fshatin Morinë të Gjakovës.

“Zyrtarë policor nga të dyja shtetet, Kosovë dhe Shqipëri, kanë realizuar një plan të përbashkët taktik-operative dhe kane arrit të arrestojnë katër persona të dyshuar shtetas shqiptar të cilët ishin duke kontrabanduar në këmbë rreth tetëmbëdhjetë (18) kafshë/gjedhe përmes rrugëve ilegale”, ka njoftuar Policia.

Tutje mësohet se në konsultim me prokurorin kompetent është iniciuar rasti “Kontrabandë me kafshë” dhe se për tre personat e dyshuar nga autoritetet kosovare është vendosur masa e ndalimit për 48 orë.