Lirije Kajtazi Foto: Facebook

Kandidatja e LDK-së për deputete pretendon se janë manipuluar votat e saj

Kandidatja për deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Lirije Kajtazi, ka thënë se duke u manipuluar votat i është pamundësuar që të jetë deputete e Kuvendit të Kosovës.

Duke komentuar disa audio-incizimeve ku dyshohet se një komisioner dhe një person tjetër merren vesh për t’i shtuar votat për një kandidate të një partie politike, Kajtazi ka thënë se i njëjti model është përdorur edhe për votat e saj.

“Me këtë model u përmbys edhe rezultati im ne minutat e fundit në Qendrën për fabrikimin e rezultateve (QNR). Të nderuar qytetarë, unë po vazhdoj betejën time, jo për një mandat në Kuvend, por angazhimin tim të përjetshëm në luftën për DREJTËSI dhe DEMOKRACI”, ka shkruar Kajtazi.

Dje në media janë publikuar disa audio-incizimeve ku dyshohet se një komisioner dhe një person tjetër merren vesh për t’i shtuar votat për një kandidate të një partie politike, duke i dëmtuar të tjerët në garë.

Pas këtyre publikimeve, anëtari i Partisë Demokrate të Kosovës në KQZ, Arianit Elshani, përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se do të kërkojë në KQZ që të rinumërohen të gjitha vendvotimet, që sipas tij kanë qenë në “dorën e mashtruesve”.

Edhe Jetlir Zyberaj, kandidat i Aleancës Kosova e Re (AKR), e cila në zgjedhjet e 14 shkurtit ishte në listë të përbashkët me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), ka thënë se rinumërimi i plotë i votave është i nevojshëm.