Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kandidati i PDK-së për kryetar të Hanit të Elezit: Do t’i integrojmë në shoqëri personat e kthyer nga Siria

Kandidati për kryetar të Hanit të Elezit nga PDK, Mehmet Ballazhi ka thënë në DebatPernime se do të punojnë që personat e kthyer nga vendet në konflikte, si Siria do të integrohen në shoqërinë kosovare.

“Unë nuk e di se sa komuna është involvuar në këtë çështjen e sigurisë, sidomos të kthyerit nga Siria, por ata duhet të integrohen në bazë të ligjit ekzistues në Kosovë. Ne do t’i marrim të gjitha masat dhe do të krijojmë hapësirë që ata të integrohen ashtu siç duhet brenda shoqërisë”, tha ai në Debat Pernime.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Hanit të Elezit diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Hanit të Elezit: Mehmet Ballazhi nga Partia Demokratike e Kosovës, Rufki Suma, kandidat i Pavarur dhe Sherif Berisha nga Lëvizja Vetëvendosje.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Hanit të Elezit: Natyra Kalisi nga LVV, Nora Xhoni nga AAK dhe Sara Berisha nga PDK.