Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kandidati i AKR-së për Prizrenin: 70 për qind të drejtorive do t’ua besoj grave

Kandidati për kryetar të Komunës së Prizrenit nga AKR-ja, Afrim Tejeci në DebatPernime ka thënë se 70 për qind të drejtorive në komunë do t’ua besojë grave, nëse e merr mandatin nga zgjedhjet e 17 tetorit.

“Vetëm në këto zgjedhje një rëndësi të madhe u kemi dhënë femrave dhe për fat të mirë, kandidate për asamble i kemi mbi numrin që kërkohet. Njerëzve të sukseshshëm që janë dëshmuar si në biznese, si në arkiterkturë mjekësi, do t’i ipet shansi t’i udhëheqin ato dikastere profesionale. Jo 50-50, por pasi gjinia fëmërore nuk është edhe aq e korruptuar  unë mendoj që edhe 70 për qind të shkohet me to për shkak se janë më të vyeshme dhe të suksesshme”, tha ai.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë karrigen e të parit të Prizrenit diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Prizrenit: Afrim Tejeci nga AKR; Anton Quni nga LDK; Milazim Lushaj, kandidat i pavarur; Mytaher Haskuka nga LVV; Shaqir Totaj nga PDK dhe Zafir Berisha nga Nisma Socialdemokrate.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe shtatë kandidate për asambliste në Kuvendin Komunal të Prizrenit: Afërdita Morina nga LDK; Afërdita Spahiu nga AKR; Dafina Bllaca nga PDK; Lirije Bytyqi nga Nisma Socialdemokrate; Mimoza Bushrani nga LVV; Ngadhjesa Bresa nga Lista GUXO dhe Shqipe Kastrati nga AAK.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.