Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kandidati i AAK-së për Vushtrrinë: Të rinjtë dhe të moshuarit duhet të edukohen se si të sillen me kafshët

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Vushtrrisë, Mensut Ademi ka thënë se nëse merr mandatin e kryetarit, do të punojë që të edukohen të rinjtë dhe të moshuarit për sjelljen me kafshët shtëpiake.

Kështu tha ai në Debat Pernime, duke folur për problemin e qytetarëve me qentë endacak.

“Sa i përket qenve endacakë, do të ndihmojmë, ne e kemi një qendër për rehabilitimin e qenve endacak ku do t’i ndihmojmë asaj qendre, qoftë nevoja edhe me e hapë një qendër tjetër dhe edukimin e të rinjve dhe të moshuarve se si të sillen edhe me kafshë sepse aty kryesisht janë kafshë shtëpiake që lirohen”, tha ai.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Vushtrrisë diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Vushtrrisë: Albert Maxhuni nga Nisma Socialdemokrate; Arsim Rexhepi nga LVV; Ergin Sunguri nga KDTP; Ferit Idrizi nga PDK; Jeton Salihu – kandidat i pavarur; Mensut Ademi nga AAK dhe Xhafer Tahiri nga LDK.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Vushtrrisë: Ardita Hasani dhe Shqiponjë Mikushnica nga Nisma Socialdemokrate; Amire Ajeti dhe Florina Sadiku nga AAK; Bahrie Ademaj dhe Gresa Muli nga LVV; Gonxhe Halili dhe Kaltrina Haziri LDK; Melihate Basholli Latifi dhe Nurije Halili nga PDK.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.