Kandidatet gra për asamblenë e Novobërdës tregojnë prioritetet e tyre

Kandidatet gra, të cilat po kërkojnë besimin e qytetarëve për Asamblenë e komunës së Novobërdës kanë treguar prioritetet e tyre.

Ervenita Isufi nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se do të punojë që të shtyjë përpara çështjet që kanë të bëjnë me shëndetësinë e po ashtu edhe të shtojë drejtimin e hotelerisë dhe turizmit në shkollën e mesme.

“Ne do ta marrim shumë me përkushtim që QKMF-së të mos u mungojnë aparaturat dhe medikamentet. Pastaj do të punojmë edhe në fushën e arsimit ku do të punojmë që ta sjellim drejtimin e hotelerisë dhe menaxhimit të turizmit pasi në komunën tonë është shumë i zhvilluar turizmi. Pastaj do të punojmë edhe për zgjidhjen e problemit të qenve endacak”, ka thënë Isufi.

Kurse Kaltrina Zeqiri nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se do të punojë që personat me nevoja të veçanta në komunën e Novobërdës të mos diskriminohen.

“Pasi vet i përkas kategorisë së personave me nevoja të veçanta, qëllimi është që të loboj që komuna të jetë sa më shumë gjithëpërfshirëse dhe pa paragjykime. Po ashtu edhe do të fokusohem në skemat sociale që ta zbusim varfërinë”, është shprehur Zeqiri.

Po ashtu edhe Shqipe Mustafa nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se do të punojë që të nxënësve me nevoja të veçanta t’u krijohen pjerrina për qasje sa më të lehtë në shkolla.

“Do të flas shumë për arsimin, shërbimet publike e sidomos transportit për shkak se është shumë e nevojshme për shkak të territorit të shpërndarë, është patjetër ta krijojmë, ndriçimi publik duhet të rregullohet. Duhet të përmend që shkollat e komunës sonë të kenë edhe rrugën për personat me nevoja të veçanta. Duhet të punojmë edhe për kulturën dhe sportin, ku shoqatën “Artana” të cilën duhet ta rikthejmë në aktivitetet që i ka bërë më parë. Studentët do t’i përkrahim me bursa e praktika”, ka thënë Mustafa.

Kurse Lumturije Salihu Ramadani nga Lëvizja Vetëvendosjes ka thënë se do të punojë që të hapen çerdhe në këtë komunë.

“Pasi vij nga fusha e shëndetësisë është që të përmirësojmë kushtet nëpër ambulanta. Zgjidhja e problemeve për kushtet hidro-sanitare, ku do të kemi ujë dhe kushteve mbrojtëse. Qëllimi tjetër është edhe arsimimi, sidomos te parafillorët që i stopon nënat e reja që të jenë pjesë e politikës e të kenë një punë. Ne synojmë që të hapim çerdhe në fshatin Pasjak dhe Llabjan”, ka thënë Salihu Ramadani.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Novobërdës diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Novobërdës: Abdyl Gashi nga LVV dhe Bajrush Ymeri nga LDK. Në garë për të parin e Novobërdës janë edhe Sasa Milosevic nga Lista Srpska dhe Selatin Nuhiu nga PDK por të njëjtit nuk kanë ardhur në debat.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Novobërdës: Ervenita Isufi dhe Shqipe Mustafa nga LDK dhe Kaltrina Zeqiri dhe Lumturije Salihu Ramadani nga LVV.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.