Shpjegimi pse ish kandidati i PDK-së i fitoi 21 tenderë

Ish-kandidati për asamble nga radhët e PDK-së, Faton Bilalli, i ka fituar 21 tenderë brenda dy viteve, 2017-2018. Ndërsa, pesë kontrata të tjera i ka fituar gjatë këtij viti. Në total, kompania e ish-kandidatit për asamble nga radhët e parisë e cila është në pushtet arrinë shifrën e 400 e 59 mijë eurove.

Në emisionin “Jeta në Komunë” kryetari Dragashit, Shaban Shabani, që vjen nga Partia Demokratike e Kosovës e ka arsyetuar dhënien e kontratave për ish-kandidatin për asamble.

“Kjo e ka një sqarim, në komunën tonë operojnë katër-pesë operatorë ekonomik që janë nga Dragashi. Komunës tonë i mungojnë operatorët dhe nëse bëjmë një krahasim, nuk ka ndnjë avanim në marrjen e tenderëve. Z. Bilalli konkurron si gjithë të tjerët, të gjithë ata që i plotëosojnë kritaret i fitojnë tenderët”, ka thënë Shabani.

KALLXO.com raportoi në shkurt të këtij viti se kompania “Brruti Ing” ka fituar hiç më pak se 21 tenderë gjatë periudhës 2017-2019, në Komunën e Dragashit që udhëhiqet nga Shaban Shabani i Partisë Demokratike të Kosovës.

Disa prej tenderëve të fituar janë për kubëzimin e trotuareve dhe asfaltimi i rrugëve, ndërtimi i një stadiumi, ndërtimin e kanalizimeve dhe ujësjellësve, e deri te blerja e një autoambulance për QKMF-në në Dragash.

Vetë ish-kandidati për asamble nga PDK kishte dhënë detaje për tenderët e fituar në komunën që udhëhiqet nga PDK.

“PDK-në e simpatizoj si parti, po, më shumë merrem me biznes, shumë pak me politikë. Jo, nuk jam anëtar i PDK-së”, kishte thënë ai.

“Aktiv nuk kam qenë, veç kështu e simpatizoj PDK-në, ama nuk jam anëtar i PDK-së. S’kam kohë me u marrë me atë punë, më shumë kam punë me biznese. Raporte të mira e muhabete kam, por ndikime, ndihmë nuk kam pse jam i PDK-së, ose diçka, përkundrazi më shohin me një sy më ndryshe”, deklaronte ai.

Sipas tij, ai i fiton çdoherë tenderët për shkak të çmimit më të ulët që ofron.