Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

LDK kërkon të diskutojë 'mosrealizimin' e projekteve kapitale nga qeveria

Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK sot ka deponuar një kërkesë për debat parlamentar për të diskutuar për siç thonë ata, mosrealizimin e projekteve kapitale për vitin 2022.

Kështu njoftoi, deputeti Besian Mustafa nga kjo parti.

“Qeveria me pasivitetin e saj ka bllokuar mbi një vit vetë OSHP-në, që rrjedhimisht ka bllokuar edhe qindra miliona investime kapitale në tërë territorin e Republikës së Kosovës.” – tha ai.

Ai e quajti çudi që “përderisa mbizotëron ky kaos Qeveria ka rreth 800 milionë euro në llogaritë e saj bankare të cilat nuk shfrytëzohen dhe nuk investohen”.

Mustafa tha se edhe pse jemi në muajin e nëntë të vitit, nuk kemi ndonjë investim substancial kapital, që ndërlidhin qendrat kryesore të vendit dhe as ndonjë investim në kapacitet e reja gjeneruese në fushën e energjisë.

Po ashtu, tha se Ministria e Financave ka bllokuar komunat e Kosovës duke mos bërë bartjen dhe ridestinimin e mjeteve vetanake të tyre, që sipas tij është një proces fare teknik dhe administrativ.

Mustafa ia ktheu Muratit duke i thënë se edhe komunat ku qeverisë Vetëvendosja “e kanë po ashtu të ulët realizimin e investimeve kapitale”.

Për këtë e fajësoi ministrin duke përsëritur se ai ka bllokuar komunat me mosbartjen dhe ridestinimin e mjeteve.

Ai e quajti fatkeqësi faktin se “si ministër i shtetit e krahason veten me komunat e Kosovës”.