Kampioni i tenderëve: Ish-kandidati i PDK-së fiton 21 tenderë në Dragash

Faton Bilalli, nuk arriti të bëhej asamblist në Komunën e Dragashit, si kandidat i PDK-së në zgjedhjet lokale të vitit 2013.

Por, ai ishte shumë i suksesshëm me biznesin e tij në këtë komunë.

Kompania e tij “N.N. Brruti ING”, ka fituar hiç më pak se 21 tenderë gjatë periudhës 2017-2019, në Komunën e Dragashit që udhëhiqet nga Shaban Shabani i Partisë Demokratike të Kosovës.

Disa prej tenderëve të fituar janë për kubëzimin e trotuareve dhe asfaltimi i rrugëve, ndërtimi i një stadiumi, ndërtimin e kanalizimeve dhe ujësjellësve, e deri te blerja e një autoambulance për QKMF-në në Dragash.

Në total, shumë e fituar nga këta tenderë për biznesin e Bilallit arrin shumën 350 mijë euro.

Faton Bilalli thotë se është simpatizant i partisë së Kadri Veselit – PDK, dhe se ka muhabet me krerët lokal të kësaj partie, por e mohon se partia e ka ndihmuar t`i fitojë 21 tenderë.

“PDK-në e simpatizoj si parti, po, më shumë merrem me biznes, shumë pak me politikë. Jo, nuk jam anëtar i PDK-së”, thotë ai.

“Aktiv nuk kam qenë, veç kështu e simpatizoj PDK-në, ama nuk jam anëtar i PDK-së. S’kam kohë me u marrë me atë punë, më shumë kam punë me biznese. Raporte të mira e muhabete kam, por ndikime, ndihmë nuk kam pse jam i PDK-së, ose diçka, përkundrazi më shohin me një sy më ndryshe”, ka thënë ai.

Sipas Bilallit, ai i fiton çdoherë tenderët për shkak të çmimit më të ulët që ofron.

“Krejt marrin tenderë, kushdo që konkurron, nuk marrim veç ne. Vetëm është në konkurrencë çmimi më i lirë. Në Komunën e Dragashit vijnë shumë pak biznese me konkuru, për arsye të terrenit, është pak i vështirë”, thotë Faton Bilalli.

Kompania e ish-kandidatit të PDK-së i ka fituar 9 tenderë vetëm në vitin 2019-të nga Komuna e Dragashit.

Por, kryetari i kësaj komune, Shaban Shabani thotë se kompania e ish-kolegut të partisë nuk është favorizuar.

“Unë normalisht që e njoh Faton Bilallin, i njohë edhe të gjithë operatorët ekonomik që janë të Komunë së Dragashit, ne jemi një komunë e vogël dhe njihemi mes veti. Unë jam thellësisht i bindur që nuk ka ndikuar kjo në favorizim, nëse eventualisht janë dëshmitë se është favorizuar, atëherë mbetet përgjegjësia e secilit individualisht, duke filluar këtu prej meje, deri te nivelet tjera të shërbimit, por nuk e besoj”, deklaron kryetari Shabani.

Kryetari i degës së LDK-së, Selim Kryeziu ka thënë se ekziston dyshimi se tenderët e dhënë për një kompani të caktuar, mund të jenë kurdisur.

“Dyshimi ekziston, vetë fakti që është pjesë e tyre dhe është pjesë e partisë në pushtet lë të krijohen dyshimet. Janë 9 (tenderë) për 2019-ën, 12 muaj gjithsej, 9 tenderë një person, vetvetiu krijohet dyshimi. Deri më tani jemi në fazën e dyshimeve jo të akuzave apo të padive”, ka thënë ai për KALLXO.com.

PDK udhëheq që 12 vjet Komunën e Dragashit. Në dy mandatet e kaluara kryetar i kësaj komune ishte Salim Jenuzi, ndërsa në zgjedhjet e fundit lokale, kryetar pas balotazhit u zgjodh Shaban Shabani, poashtu nga PDK.

Tenderët e fituar nga biznesi i kandidatit të PDK-së

Vetëm gjatë vitit të kaluar, “N.N Brruti ING” ka fituar 9 tenderë të ndryshëm. Shuma e këtyre tenderëve gjatë vitit të kaluar kalon shifrën e 155 mijë eurove.

Mbi 30 mijë euro ishte një tender për pastrimin e deponive ilegale në territorin e Komunës së Dragashit.

Në kontratën të cilën e ka fituar kompania e ish-kandidatit për asamble nga PDK, janë përshkruar 34 deponi ilegale të mbeturinave të cilat do të pastroheshin ndërsa tri të tjera ishin paraparë të rregulloheshin.

Vlera fikse e kësaj kontrate ishte 30,075 euro, ndërsa sipas dosjes së tenderit, vlera e parashikuar e kësaj kontrate ishte 50 mijë euro. Kjo kontratë ishte nënshkruar më 12 nëntor të vitit të kaluar.

Për këtë tender kishin aplikuar pesë komani, por “N.N Brruti ING” kishte bërë ofertën më të ulët.

Kompanitë e tjera që aplikuan ishin “EBK Sh.P.K” me ofertën prej 37, 060 cent, “U-Nique Sh.P.K” me vlerë prej 39,120 euro, “N.T.P. Altech” me ofertën prej 39,505 euro dhe “Ridvan Elezi B.I” me 41,516 euro.

Një tender tjetër me një vlerë të lartë ishte edhe ai për “Kubëzimi i rrugëve dhe ndërtimi i kanalizimit në fshatin Vraniq”. Shumë e kësaj kontrate kapte vlerën e 29,925 euro.

Në këtë tender kishte aplikuar vetëm kompania “N.N Brruti ING” me pronat Faton Bilalli.

Gjatë vitit 2018, Faton Bilalli i fitoi 6 kontrata në vlerë të përgjithshme prej 118 mijë eurove.

Më 9 gusht të vitit 2018, kompania e ish-kandidatit për asamble nga PDK, Faton Bilalli, kishte fotuar një tender tjetër. “Kubëzimi i rrugëve dhe infrastruktura tjetër në Dragash” kapte vlerën prej 60,861 euro.

Për të fituar këtë kontratë kishin aplikuar edhe shtetë kompani të tjera, por oferta më e ulët ishte shpërblyer me dhënie të kontratës.

Një tender tjetër i fituar nga “N.N. Brruti ING” ishte edhe ai për blerjen e një autoambulance për Qendrën e Mjekësisë Familjare në Dragash. Tenderi me vlerën më të madhe ishte prej 39,800 euro. Për këtë tender kishte aplikuar vetëm dy kompani. “KEIS Sh.P.K” kishte ofertuar me çmim më të ulët sesa kompania e cila e fitoi tenderin, me 48 mijë euro, rreth 2 mijë euro më pak.

Ndërsa, në vitin 2017, “N.N Brruti ING” i fitoi edhe 7 kontrata të tjera vera e të cilave kapë shifrën e 78,919 euro.

 

 

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).