Këshilli i Evropës, Strasburg/ Foto: Denis Sllovinja, KALLXO.com

Parlamenti i Këshillit të Europës debaton sot për sulmin në veri

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës në seancën e sotme pritet të diskutojë mbi zhvillimet në veri të Kosovës pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë.

Sipas agjendës, debati pritet të mbahet sot pasdite.

Në njoftimin thuhet se do të diskutohet për nevojën për depërshkallëzim të situatës.

“Debati për aktualitetin: ‘Situata në veri të Kosovës, pas sulmit të fundit dhe nevoja për deeskalim’”- thuhet në njoftim.

Përveç çështjes së Kosovës, pikë tjetër ne rend të ditës është edhe ‘Përshkallëzimi i dhunës në Lindjen e Mesme pas sulmit të fundit të Hamasit ndaj Izraelit’.

Javën e kaluar, Parlamenti Europian ka diskutuar për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe u plagos një tjetër.

Në ketë debat pati shumë kritika për politikën e BE-së ndaj Serbisë. Disa eurodeputetë bënë thirrje për hetim ndërkombëtar dhe që përgjegjësit e sulmit ndaj Policisë së Kosovës në veri të vihen para drejtësisë.

Ndërsa lidhur me këtë çështje, një rezolutë pritet të votohet këtë të enjte nga Parlamenti Europian.

Afrim Bunjaku, rreshter i Policisë së Kosovës, u vra, një polic tjetër u plagos e një tjetër u lëndua nga ky sulm, ndërsa Policia u sulmua disa herë radhazi nga grupi terrorist deri sa këta të fundit ikën në drejtim të Serbisë.

Në ditën kritike Policia sekuestroi 24 automjete, dy autoblinda e arsenal të madh armatimi luftarak që i kishte grupi terrorist.

Tre persona nga ky grup u vranë e disa të tjerë u arrestuan. Trupat e tre të vrarëve iu dorëzuan më 30 shtator 2023 familjarëve të tyre, pas përfundimit të procedurave të nevojshme nga organet kompetente.

Ish-nënkryetari i Listës Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, që ka edhe mbështetjen e Qeverisë serbe – Millan Radoiçiq ka marrë përgjegjësinë për sulmin ndërsa ka dhënë dorëheqje nga posti në partinë që i përkiste.