Debati ‘Kriza në veri të Kosovës – çfarë është më e sigurt, deeskalimi apo përshkallëzimi dhe pse?’
Analistë dhe aktivistë, shqiptarë e serbë u mblodhën sot në Qendrën Mediale në Çagllavicë për të diskutuar lidhur me gjendjen e sigurisë në veri të Kosovës.
Me temën “Kriza në veri të Kosovës – çfarë është më e sigurt deeskalimi apo përshkallëzimi dhe pse?”, ata dhanë pikëpamjet e tyre se përse erdhi situata deri këtu dhe si duhet të veprohet tutje.
Miodrag Marinkoviq nga “CASA” tha se ka një muaj që nuk ka veprim në teren për të qetësuar situatën.
Ai tha se ka një lloj përmbajtje nga Beogradi, por jo edhe nga Prishtina pasi vetëm dje shpalli terroriste organizata, njëra prej tyre që nuk ekziston.
“U bënë 1 muaj dhe nuk kam parë as edhe një veprim të vetëm i cili çon tek deeskalimi i gjendjes në teren. Njëfarë lloj përmbajtje e Beogradit sa i përket organizimit të ndonjë rezistence mund të interpretohet si një lloj zgjatje e dorës. Veprimet e Prishtinës të cilat i shohim së fundi, madje veprimi i djeshëm i shpalljes organizatë terroriste i ‘Brigadës së Veriut’ e cila në fakt nuk ekziston, ky është veprim i cili do sjell eskalim të gjendjes në teren, e dimë se ka një listë prej 200-300 personave të evidentuar për arrestim”- tha ai.
Sipas tij, veprimet e Kurtit janë me qëllim të moszbatimit të marrëveshjes së Ohrit.
“Ajo që mund të shihet në veprimet e Prishtinës, dhe unë kam një teori se është përpjekje e Kurtit të ndalojë zbatimin e marrëveshjes së Ohrit, respektivisht planit franko-gjerman për arsye fare të kuptueshme, ky plan nuk i pëlqen as Beogradit e as Prishtinës. Ajo që i pëlqen Kurtit tani është renditja e ngjarjeve sepse veprimet që shqiptarëve do u vijnë si suksese do jetë formimi i Asociacionit, që do ishte kompromis i parimeve të Kurtit” – shtoi tutje ai.
Derisa, analisti Allen Meta tha se kriza në veri është si shkak i zgjedhjeve të 23 prillit dhe mospjesëmarrjes së Listës serbe.
Sipas tij, Kurti dhe Vuçiq matën forcat me anë të këtyre zgjedhjeve.
“Kriza në veri e ka një emërues të përbashkët – zgjedhjet e 23 prillit që erdhën si rrjedhojë e matjes së forcave mes Kurtit e Vuçiq. Lista serbe nuk mori pjesë në zgjedhje e për rezultatin mund të ketë debat nëse janë legjitime. Kurti dhe Vuçiq po luajnë shah se kush çka po fiton. Komunat nuk funksionojë të rrethuara me njësi speciale por as protestat e dhunshme nuk janë zgjidhje” – tha ai.
Sipas tij, veriu ka një kohë të gjatë që ka qenë në një lloj status-quo dhe presioni që është dhënë që veriu të integrohet si shpejt, ka ndikuar që qytetarët atje të marrin një lloj ofanzive.
Kurse, Branimir Stojanoviq nga Srpski Nacionalni Pokret u shpreh se beson që kriza do zgjasë pasi përpos mosgatishmërisë nga Prishtina ka edhe mosefikasitet nga vendet e perëndimit.
Ai konsideron se nëse Kosovës do i vihej ndonjë sanksion që do e shqetësonte si rasti me mos liberalizim, gjendja do ishte ndryshe.
“Duket se kjo krizë në këtë nivel do vazhdojë edhe një kohë pasi nuk shoh gatishmëri konkrete, sidmos nga Prishtina. Kemi parë një mosefikasitet të përfaqësuesve më të rëndësishëm të vendeve perëndimore sepse po të ishin më të rrepta, nuk do kishim ardhur në këtë situatë. Nese do kishte deklarim se Kosova nuk merr libealizimi nga 1 janari besoj se situata në opinion do ishte ndryshe.
Ai theksoi se kur u arrestuan policët shqiptarë pati aq presion të madh sa që Beogradi u detyrua t’i lirojë.