Kaçaniku nuk dihet se kur do të bëhet me teatër

Aktorët e ata që e duan artin në përgjithësi në Kaçanik nuk dihet se kur do ta kenë vendin ku luhen shfaqjet.

Nga niveli lokal bazuar në rrethanat u shprehën skeptik se ka mundësi që ky qytet të bëhet me teatër.

Nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kanë bërë të ditur se që nga marrja e mandatit nuk kanë hasur në ndonjë kërkesë lidhur me këtë çështje.

Pesë vjet më parë, Kuvendit Komunal të Kaçanikut, iu drejtua një kërkesë nga një grup i aktorëve për themelimin e Teatrit të Qytetit. Në fund të marsit, Komuna, inicioi procedurat për themelimin e këtij institucioni kulturor.

Aktori Lulzim Rexha, ka treguar se Kaçaniku dikur jo vetëm që ka pasur kinema, por edhe një jetë të begatshme teatrore.

Rexha ka treguar se aktorët janë detyruar të largohen nga ky qytet për të zhvilluar karrierën.

“Ne që merremi me këtë profesion, e që nuk jemi pak, jemi detyruar që të largohemi nga Kaçaniku për ta zhvilluar karrierën tonë në qytete apo edhe shtete tjera. Prandaj, faturën e papërgjegjësisë dhe mungesës së vullnetit të komunës në fund e paguajnë më së shumti vet qytetarët e Kaçanikut“- ka thënë aktori për KALLXO.com.

Ai ka shtuar se arsyet kryesore, sipas kryetarit të Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi (PDK), lidhen me mungesën e buxhetit. Kjo është përgjigjja që tha se e marrin vazhdimisht.

Por sipas aktorëve, kjo arsye nuk qëndron tërësisht.

“Kjo për faktin se komuna ka potenciale buxhetore, por edhe mund të përfitojë nga mbështetja e nivelit qendror. Ne kemi llogaritur që për operacionalizimin dhe funksionalizimin e teatrit, një buxhet vjetor prej 150,000 euro në vit është i mjaftueshëm. Dhe kjo shumë e dimë që nuk është ndonjë barrë e madhe për komunën“- ka thënë aktori Rexha.

Sipas tij, për zyrtarët komunalë teatri është luks.

Aktori ka shtuar se ata kanë bërë përpjekje të vazhdueshme në nivelin lokal e qendror, ku kanë kërkuar që të themelohet ky institucion kulturor.

Mungesën e shfaqjeve teatrore ai e cilëson si të dhimbshme dhe te papranueshme.

“Një komunë me potencial kaq të madh si Kaçaniku, me një numër të madh të aktorëve të diplomuar, nuk ia del ta aktivizoj e gjallëroj jetën teatrore. Aktualisht, Shtëpia e Kulturës shërben si magazinë e mallrave të Kryqit të Kuq, si çerdhe private për fëmijë, e një pjesë e hapësirave u është ndarë OJQ-ve të ndryshme që përpiqen të bëjnë ndryshime të vogla“- ka shtuar Rexha.

Kurse kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, ka mohuar që iu ka dhënë ndonjë përgjigje aktorëve lidhur me teatrin.

“Jo, as nuk i kam pa aktorët, më tepër takimet i ka mbajt drejtori i Arsimit se me aktorë s’më ka ra rasti asnjëherë me u taku. Cilido që të ka thanë ballafaqom sy me sy se absolut s’më ka ra rasti me u taku me ta për këtë temë se jo për tjetër se nashta edhe iu kisha thënë“- ka thënë ai për KALLXO.com.

Tutje, i pari i Kaçanikut ka treguar arsyet pse nuk po bëhet teatri.

“Kushtet të cilat duhet të përgatiten Shtëpia e Kulturës për teatër ne i kemi të pamundur me i përmbush përveç buxhetit që e ka një kosto jashtëzakonisht të madhe siç e dimë diku 10 ose 11 punëtorë duhet me qenë patjetër gjë që iu shtohet numrit të buxhetit të komunës që e ka të pamundur së pari me aprovu nga Ministria përkatëse pastaj me realizu”- ka shtuar Ilazi.

Ndërkaq, regjisori, Ben Apolloni, iniciator i themelimit të teatrit, ka thënë se teatri ka pasur mundësi që të bëhet që në vitin 2018.

“Vendimet e Kuvendit Komunal, Qeveria do të duhej t’i ekzekutonte, por ja që në Kaçanik nuk ndodh kështu. Po bëhen 6 vjet dhe ende asnjë veprim konkret nga ana e Qeverisë Lokale”- ka thënë ai.

Sipas tij, nuk ka pas asnjë problem të madh që të zgjatet kaq shumë kjo çështje.

Apolloni ka thënë se ata vazhdimisht kanë kërkuar nga ish-drejtori i Kulturës, Zahir Doda, që ta kryejë punën për të cilën tha se ishte përgjegjës.

Për projektin e nisur më 5 shkurt të vitit 2018, ai ka shtuar se as Doda e as pasardhësja e tij, nuk kanë bërë ende asgjë.

“Kemi pasur takime gjatë vitit 2018, kryesisht, por ata refuzojnë të kryejnë detyrat. Unë edhe atëherë edhe sot, i quaj parazitë kryetarin e Kaçanikut dhe stafin e tij (keq)qeverisës, që marrin rroga e nuk kryejnë detyrat”- ka thënë Apolloni.

Regjisori ka treguar se aktorët janë larguar nga ky qytet.

“Aktorët kanë ikë nga Kaçaniku, në kërkim të ndonjë punë, çfarëdo pune, për të mbijetuar. Pra, Qeveria e Kaçanikut i ka përzënë artistët nga vendi i tyre“- shtoi ai.

Ai ka shtuar se ky qytet nuk ka pasur asnjëherë teatër, por ai beson se ishte koha që për t’u bërë teatri.

“Objektin e ka, artistët i ka dhe e ka publikun e mrekullueshëm. Besoj e mbani mend që kur më 2018 e realizuam shfaqjen “Këngëtarja leshatuke”, që ishte si një test për aktorët e publikun, Salla e Shtëpisë së Kulturës ishte e stërmbushur për tri netë me radhë”- theksoi regjisori.

Apolloni ka thënë se në Kaçanik të gjithë e duan teatrin, por zyrtarët punojnë kundër dëshirës së qytetarëve.

Drejtori i Arsimit, Zahir Doda, ka treguar se në shkurt të vitit 2018, pas një propozim-kërkese të bërë nga një grup artistësh kaçanikas, DKA ka dërguar në Kuvend propozim vendimin për inicim të procedurës për themelim të teatrit të qytetit.

Tutje, ai ka thënë se Kuvendi Komunal në mbledhjen e mbajtur më 30 mars 2018, merr vendim për inicimin e procedurës për themelimin e Teatrit të Qytetit.

“Bazuar në legjislacionin e atëhershëm në fuqi (Ligji për Teatrot nr. 04.L-106 dhe Rregullorja nr.04/2015 MKRS), në prill të 2018, kemi drejtuar kërkesën në MKRS për dhënien e pëlqimit për themelim“- ka shtuar ai.

MKRS-ja ka kërkuar që të plotësohen disa kushte të cilat komuna nuk ka arritur t’i realizojë.

“Komisioni i formuar nga MKRS-ja për këtë çështje, pas shqyrtimit të kërkesës, ka kërkuar nga komuna që të plotësohen disa kushte të cilat ka qenë e pamundur të plotësohen (rregullimi i hapësirave në Shtëpinë e kulturës me kosto mjaft të lartë dhe më kryesorja shtimi i numrit të punëtoreve së paku për 12 persona”- shtoi Doda.

Bazuar në rrethanat aktuale ai shprehet skeptik që mund të bëhet teatri.

“Pa i plotësuar kushtet e parashtruara nga MKRS- ja nuk është lëshuar pëlqimi dhe pa këtë pëlqim nuk ka mund të merret vendimi për themelim, prandaj Teatri i Qytetit nuk është themeluar asnjëherë dhe bazuar në rrethanat që janë edhe sot, jam skeptik që ka kushte për themelim”- ka thënë drejtori për KALLXO.com.

Ndërkaq, Zana Fetiu, zëdhënëse e MKRS-ë, ka thënë se kabineti aktual nuk ka hasur në ndonjë kërkesë të tillë.

“Në vitin 2018, ka qenë qeverisje tjetër, pra komunikimi është zhvilluar me persona të tjerë. Kabineti aktual nuk ka hasur me kërkesë të tillë që nga marrja e mandatit“ – ka thënë Fetiu për KALLXO.com.

Teatri Kombëtar i Kosovës është institucioni më i lartë teatror në Kosovë dhe ndodhet në Prishtinë.