Foto: KALLXO.com

Jep mbrojtjen njëri nga të akuzuarit në rastin “Subvencionet 1”

Në gjykimin e mbajtur ndaj te akuzuarve për rastin e njohur si “Subvencionet 1” në seancën e datës 10.06.2024  ka dhënë mbrojtjen njëri nga të akuzuarit.

Mbrojtjen para trupit gjykues e ka dhënë Luan Statovci, i cili nga Prokuroria Speciale po akuzohet për veprat penale – marrje ryshfeti, dhe – keqpërdorim i detyrës zyrtare.

Statovci në gjykatore deklaroi se në Ministrinë e Bujqësisë punon nga viti 2005, ndërsa nga viti 2018  ushtron pozitën e drejtorit në Drejtorinë për Pagesa Direkte në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë.

Ndërsa në pretendimet e Prokurorisë i akuzuari Luan Statovci po akuzohet për marrje ryshfeti në mënyrë të tërthortë, se ka pranuar ryshfet nga Kastriot Berisha, Fuat Morina, Flamur Zeqiri, Florim Nimonaj, Dukagjin Mavraj dhe Daut Kabashi.

I akuzuari u përgjigj se nuk e ka kryer këtë vepër dhe nuk i njeh këta persona.

“Unë nuk i njoh këta persona, nuk i kam takuar asnjëherë, nuk kam kërkuar ryshfet asnjëherë as në mënyrë të tërthortë, as në mënyrë direkte. As nuk kam bërë ndonjë favor për ta” – tha ai.

Tutje në mbrojtjen e tij Statovci theksoi se nuk i ka dhënë përgjegjësi asnjë drejtorie në kuadër të Agjencisë për Zhvillim të Bujqësisë (AZHB).

“Unë nuk i kam dhënë përgjegjësi asnjë drejtorie në kuadër të  AZHB-së, sepse kemi qenë në të njëjtin nivel. Unë i kam raportuar vetëm kryeshefit ekzekutiv të AZHB-së” – shtoi i pandehuri.

Në pyetjet e prokurorit të Prokurorisë Speciale, Rafet Halimi, drejtuar të akuzuarit Luan Statovci se a ka pasur raste kur personat qe kanë aplikuar për përfitim te subvencioneve për bimë mjekësore aromatike i keni kryer pagesat pa kontroll në terren.

I akuzuari u përgjigj se ka pasur raste.

“Po, ka pasur raste në të gjitha kulturat, ku udhëzimi administrativ e rregullon çështjen e kontrollit në terren. Në disa kultura bujqësore kontrolli në terren është  vetëm 20%, në disa raste tjera 30-40% , ka edhe të tilla ku kërkohet 100%” – tha i akuzuari Luan Statovci.

Tutje prokurori e pyeti të pandehurin për çështjen e kryerjes së pagesave pa kontroll në terren.

I akuzuari Luan Statovci u përgjigj se kontrolli në terren është përgjegjësi e Drejtorisë së Kontrollit.

“Kontrolli në terren është përgjegjësi e Drejtorisë së Kontrollit, kontrolli është dashtë të bëhej nga kjo Drejtori, pagesat i bën Ministria e Bujqësisë e jo unë. Vendimet për këto pagesa janë të nënshkruara nga kryeshefi ekzekutiv” – tha Statovci.

Tutje në këtë seancë i akuzuari Luan Statovci u përball edhe me provat e Prokurorisë, me SMS-të që kishte pasur me te akuzuarin Sadat Shkodra, por kërkesa e mbrojtësit Naim Rudari ishte që i akuzuari të mos përgjigjej  në ato pyetje të prokurorit.

Në seancë pati edhe përplasje verbale mes prokurorit Rafet Halimi dhe avokatit Naim Rudari sa i përket kësaj çështjeje.

Ndërsa i pyetur nëse e njihte aplikuesen Kumrije Maxharraj, i pandehuri deklaroi se nuk e njeh dhe se nuk ka mundur që të shtojë apo të heqë dikë nga lista e përfituesve.

Çfarë thotë dosja e Prokurorisë?

Përmes aktakuzës, Prokuroria pretendon se ka zbuluar afera të shumta korruptive me subvencione në të cilat ishin të përfshirë zyrtarë të shumtë të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë.

Sipas këtij organi, skema e korrupsionit ishte ndërtuar në atë formë që aplikuesit që hynin në marrëveshje me zyrtarët e AZHB-së udhëzoheshin që të aplikonin për mbjelljen e bimëve mjekësore aromatike nga ku më pas vlera e subvencionit të fituar ndahej mes tyre në përqindje të ndryshme të cilat shkonin deri në 70% për zyrtarët e AZHB-së.

Skema e përshkruar në aktakuzë tregon se aplikuesve që hynin në marrëveshje me zyrtarët e AZHB-së u siguroheshin në mënyrë të kundërligjshme certifikatat për bujqësi organike të cilat ishin si parakusht i përfitimit të subvencionit.

Aktakuza përshkruan se Luan Statovci, drejtor i pagesave në AZHB, qasej në lëndët e aplikuesve dhe fotografonte dokumentacionet e tyre e të cilat më pas i dërgonte përmes telefonit te vëllai i tij, Salih Statovci. Ky i fundit këto fotografi, sipas Prokurorisë, i dërgonte tek A. A., i cili në cilësinë e drejtorit të “Bio-Q-Check” lëshonte në mënyrë të kundërligjshme certifikata për bujqësi organike pa pasur ndonjë kontroll paraprak.

E gjithë kjo procedurë sipas organit ndjekës ndodhte pasi aplikuesit hynin në marrëveshje dhe bindeshin që t’i ndryshonin aplikacionet për subvencionimin e kulturave të tjera në aplikacionet për subvencionimin e mbjelljes së bimëve mjekësore.

Në këtë mënyrë ata akuzohen se u kanë mundësuar aplikuesve përfitim të kundërligjshëm dhe kanë dëmtuar mbi gjysmë milion euro buxhetin e vendit.

Sipas dosjes së Prokurorisë, të pandehurit Jeton Sylaj, Luan Statovci dhe Hasan Maxharraj, ngarkohen me veprën penale – keqpërdorim i autoritetit zyrtar, kurse mbi Maxharrajn rëndon edhe akuza për mashtrim me subvencione.

Mbi të pandehurin Luan Statovci rëndojnë edhe akuzat për marrje ryshfeti në bashkëkryerje me Sadat Shkodrën, kurse Florim Nimonaj ngarkohet me veprën penale – dhënie ryshfeti.

Për veprën – falsifikim i dokumenteve ngarkohen të pandehurit Almir Abdurramani dhe Salih Statovci.