Arrestohet edhe personi i pestë i dyshuar për dhunimin e 11-vjeçares në Prishtinë

Policia e Kosovës ka njoftuar se është arrestuar edhe personi i pestë i dyshuar për dhunimin e 11-vjeçares në Prishtinë.

“Personi i pestë i cili ishte identifikuar nga Policia tani është duke u intervistuar në stacion policor” – ka thënë Policia.

Tutje është thënë se kjo ka ardhur si rezultat i punës, angazhimeve dhe hetimeve intensive nga Policia e Kosovës.

KALLXO.com mëson se i arrestuari është 19-vjeçar.

“Të gjitha veprimet e mëtejme policore lidhur me të dyshuarin i cili dyshohet se është i përfshirë në rastin “dhunim” të ndodhur në Prishtinë, do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë” – thuhet në njoftim.

Katër persona të tjerë janë arrestuar gjatë dy ditëve të fundit për këtë rast, tre prej të cilëve të mitur. Të gjithëve u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve.

11-vjeçarja dyshohet se derisa ishte duke ecur në një park në Prishtinë, fillimisht ishte ndaluar e më pas dhunuar seksualisht brenda një intervali prej 7 orëve nga disa persona.

Në dosjen e prokurorisë të cilën e ka siguruar KALLXO.com përshkruhet se si ka ndodhur ngjarja.

Në dosje pretendohet që kjo ngjarje të ketë ndodhur pasi tre persona e kishin ndalur 11-vjeçaren e cila ishte duke ecur.

Të tre personat ishin afruar tek e mitura dhe e kishin ngacmuar me fjalët “Zemër po më pëlqen”, përderisa njëri nga të dyshuarit kishte filluar ta prek me dorë në pjesën e barkut dhe në fundin e shpinës.

Dosja e organit ndjekës të cilën e ka siguruar KALLXO.com tregon se të dyshuarit ia kishin hequr të miturës rrobat në park. Pasi e kishin zhveshur, në dosje përshkruhet se njëri nga të dyshuarit po ia mbante duart dhe gojën viktimës ndërsa tjetri po e dhunonte seksualisht.

Sipas përshkrimit të prokurorisë dhunimi kishte vazhduar dhe ai i cili ia mbante duart, pastaj kishte filluar ta dhunojë seksualisht.

Pasi ishte dhunuar nga dy të dyshuarit e parë, viktima në afërsi të shtëpisë së saj ishte ndalur edhe nga një person tjetër.

Ai e kishte futur 11-vjeçaren në veturë së bashku me tre persona të tjerë dhe e kishte dërguar në një vend ku kishte vetëm pemë dhe bari.

Aty përshkruhet se viktima ishte dhunuar sërish.