Jakup Krasniqi: Ne jemi Ndërmarrja e Përbashkët Çlirimtare

Ish zëdhënësi e UÇK Jakup Krasniqi ka thënë fjalët e para përpara dhomave të caktuara në Gjykatën Speciale.

Në fjalën e tij, Krasniqi tha se është fyerje që UÇK-ja të quhet “ndërmarrje e përbashkët kriminale” dhe se “ndërmarrje e tillë kanë qenë serbët”.

“Cilësimi i Prokurorit se ne qenkemi ndërmarrje kriminale e përbashkët, për mua dhe kombin tonë nuk ka diçka ma fyese pasi ne një kohë të gjatë në rrethana tepër të vështira u vëmë në shërbim të lirisë dhe shtet ndërtimit të cilat i arritëm me SHBA, NATO-n dhe OKB, dhe të gjithë së bashku jemi ndërmarrje e përbashkët çlirimtare dhe shtete formuese, ndërsa ndërmarrje e përbashkët kriminale janë jo vetëm serbet por edhe mbështetësit e politikave të Beogradit”, tha Krasniqi.

Këto fjalë Krasniqi i tha pasi u lexuan akuzat kundër tij.

Sekretarja e dhomave të specializuara i lexoj një nga një pikat e aktakuzës së ngritur kundër Jakup Krasniqit, Hashim Thacit, Rexhep Selimit e Kadri Veselit.

“Në aktakuzën e konfirmuar prokurori i specializuar e akuzon Jakup Krasniqin për përndjekje, burgosje, ndalim arbitrar, akte të tjera çnjerëzore, trajtim mizor, torturë, vrasje, vrasje e paligjshme, zhdukje me forcë e personave”, deklaroj sekretarja e Gjykatës.

Sipas saj krime u kryen midis prillit 1998 dhe 1999 në një numër vendosjes në Kosovë dhe Shqipëri.

Krasniqi sipas saj është përgjegjës si epror për këto krime.

Krerët e UÇK-së bashkërisht akuzohen për krime të luftës, krime kundër njerëzimit, arrestime të kundërligjshme, trajtim mizor dhe vrasje.

Sipas kësaj aktakuze pjesëtarë të UÇK-së, gjatë marsit 1998 dhe shtatorit 1999 kishin kryer krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit duke arrestuar dhe ndaluar persona civil në mënyrë të paligjshme, duke i trajtuar në mënyrë mizore, torturuar dhe zhdukur.

Në mesin e shumë akuzave bëjnë pjesë edhe ato të vrasjeve të paligjshme.

Për të gjitha këto krime të pretenduara, Prokurori Xhek Smith i ngarkon Hashim Thacin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin e Kadri Veselin të cilët sipas tij ishin në dijeni se këto krime ishin duke ndodhur dhe nuk kishin ndërmarrë asnjë veprim për parandalimin e tyre mirëpo kishin nxitur kryerjen e tyre.

Në këtë aktakuzë thuhet se Thaçi dhe të tjerët nxitën sulmet ndaj kundërshtarëve dhe nxiten vrasjen e tyre.

Sipas prokurorisë krerët e UÇK-së përmes deklaratave publike dhe veprimeve në terren, frikësuan, denigruan, eliminuan kundërshtarë dhe kërkuan të pozicionoheshin si i vetmi zë dhe si i vetmi përfaqësues legjitimë i shqiptarëve të Kosovës

Vrasjet për të cilat ata po akuzohen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi

Pjesë e aktakuzës 68 faqëshe të Prokurorisë janë edhe pretendimet për vrasje të paligjshme.

Këto vrasje theksohet se janë kryer në territore të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë. Sipas prokurorisë ato janë kryer në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Majac, Zllash, Kleҫkë, Kukës dhe Rahovec.

Në aktakuzë thuhet se një person gjatë vitit 1998 ishte mbajtur në kazermat e UÇK-së në Jabllanicë dhe ishte rrahur për vdekje nga pjesëtaret e UÇK-së.

Aktakuza pretendon se fatin e njëjtë e kishin pasur edhe dy viktima të tjera të cilat ishin dërguar në kazermën e UÇK-së në Jabllanicë.

Përpos vrasjeve në Jabllanicë në aktakuzë pretendohet se në fshatin Llapushinik ishte arrestuar një person nga pjesëtaret e UÇK-së ishte rrahur dhe ishte marrë në pyetje dhjetë natë rresht ndërsa në fund ishte vrarë.

Aktakuza tutje pretendon se pas një ofensive serbe, forcat e UÇK-së në Llapushink kishin arrestuar afërsisht 30 persona ku disa prej tyre më pas ishin lënë të lirë ndërsa të tjerët ishin qëlluar dhe vrarë.

Aty përshkruhet edhe për gjashtë vrasje të kryera në Drenoc. Sipas prokurorisë gjashtë burra ishin arrestuar, rrahur dhe vrarë dhe eshtrat e tyre nuk ishin parë më kurrë.

Pjesë e aktakuzës janë edhe akuzat për vrasjen e 11 civileve serb në Malishevë. Sipas aktakuzës në korrik të vitit 1998 një grup prej 11 të arrestuarish serbë u transferuan në një dhomë në bodrumin e një ndërtese në Malishevë. Aty përshkruhet se këta civil ishin arrahur dhe shqelmuar nga anëtarët e UÇK-së e më pas ishin qëlluar dhe vrarë.

Prokuroria e Specializuar në këtë aktakuzë nuk e ka lënë pa e përfshirë edhe qendrën e paraburgimit në Kleçkë.

Në këtë lokacion sipas prokurorit të specializuar gjashtë persona ishin dërguar dhe ishin rrahur për vdekje nga anëtaret e UÇK-së.

Një tjetër person sipas prokurorit të specializuar kishte vdekur si rezultat i keqtrajtimit në Kukës. Në këtë keqtrajtim thuhet se kishte marrë pjesë edhe Sabit Geci.

Tre persona të tjerë ishin arrestuar në Rahovec, ata sipas aktakuzës ishin rrëmbyer nga ushtarët e UÇK-së në shtëpitë e tyre ndërsa nuk ishin parë më kurrë.

Arsyeja se pse krerët e UÇK-së akuzohen për krimet dhe vrasjet e si përmendura sipas prokurorit të Specializuar është përgjegjësia komanduese.

Javën që lamë pas katër krerët e UÇK-së me urdhër të prokurorit ishin arrestuar dhe dërguar për në Hagë.