Arrin në 19 numri i rasteve me coronavirus në Kosovë

Edhe dy persona janë testuar pozitiv për virusin COVID-19 duke e rritur kështu numrin e përgjithshëm të të infektuarve në 19.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë rastet janë nga komuna e Gjakovës, të kthyer nga Dusseldorfi i Gjermanisë, njëri i gjinisë mashkull 54 vjeç dhe tjetra e gjinisë femër 49 vjeçe.

Sipas njoftimit nga data 01.02.2020 deri me 17.03.2020 në Aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” si dhe në pikat tokësore kufitare janë depistuar gjithsej 12.309 udhëtarë. Në Aeroportin “Adem Jashari” 519 udhëtarë, Merdare 4.596, Vërmicë 3.380, Jarinje 812, Dheu i Bardhë 732, Hani i Elezit 1.080, Kullë 674, Qafë Morinë 41, Bërnjak 322, Qafë Prush 28, Muçibabë 124 dhe Glloboçicë 1 udhëtarë.

Deri më tani në Kosovë janë identifikuar 19 persona të prekur me virusin COVID-19.

Qytetet si Vitia, Malisheva, Podujeva dhe Klina janë në karantinë pasi në këto qytete u identifikuan disa të prekur me virus.

Ndërkaq, tre persona të prekur me coronavirus janë identifikuar në Aeroportin e Prishtinës pasi erdhën nga Londra.

Qeveria e Kosovës ditë më parë ka shpallur gjendjen emergjente pas situatës me rrezikun e shpërndarjes së këtij virusi.

Momentalisht në botë numërohen mbi 180 mijë të infektuar me këtë virus, dhe mbi 7 mijë kanë vdekur.
Vendet më të prekura në botë nga virusi janë Kina dhe Italia.