Giuseppe Conte

Italia do të hapë fabrikat më 4 maj, shkollat në shtator

Italia do të lejojë hapjen e fabrikave më 4 maj në kuadër të zbutjes së masave kufizuese kurse shkollat parashihet të hapen në shtator, ka deklaruar kryeministri Giuseppe Conte në një intervistë për “LaRepubblica”.

“Aktualisht po punojmë për të lejuar hapjen e një pjese të madhe të veprimtarive, nga industria te ndërtimtaria”, ka thënë shefi i Qeverisë, duke shtuar se plani për zbutjen e masave kufizuese do të paraqitet më së largu në fillim të javës së ardhshme, raporton Reuters.

Vendi i parë europian që u godit nga epidemia e coronavirusit, Italia ishte po ashtu vendi i parë që vendosi masën e bllokimit të tërë popullatës në fillim të marsit.

Kryeministri Conte thekson se Qeveria e tij parashikon hapjen e shkollave në shtator, duke theksuar se hulumtimet kanë treguar se rreziku i përhapjes mbetet shumë i lartë dhe se mësimi në distancë po funksionon mirë.

Sipas të dhënave të Mbrojtjes Civile të së shtunës, në Itali nga COVID-19 kanë vdekur 26,384 persona e janë infektuar 195,351.