"Ishim shokë": I erdhi fundi gjykimit për vrasjen në Podujevë, ku po akuzohen babë e bir

Rigjykimin për vrasjen e Sevdaim Sinanit si dhe tri tentim-vrasje, ku të akuzuar janë babë e bir, Senad e Qëndrim Begu, i erdhi fundi.

Sipas aktakuzës më 1 mars 2010, rreth orës 20:00, në Podujevë në rrugën “Qëndresa”, të akuzuarit kishin shkuar te shtëpia e tani të ndjerit Sevdaim Sinanit për të kërkuar borxhin që i ndjeri dyshohet se ua kishte këtyre.

Gjykata e shkallës së parë më 17 maj 2019 kishte marrë vendim me të cilin i shpalli fajtorë babë e bir për vrasjen e Sevdaim Sinanit dhe 3 tentim- vrasje.

Qëndrim Begun e dënoi me 19 vite burgim dhe 500 euro dënim me gjobë për vrasjen e rëndë të Sevdaim Sinanit dhe armëmbajtje pa leje.

Ndërsa të akuzuarit Senad Begut i shqiptoi 11 vite burgim për veprat penale vrasje e rëndë në bashkëkryerje, vrasje e rëndë në tentativë dhe më 500 euro dënim me gjobë për armëmbajtje pa leje.

Pas këtij  vendimi,  mbrojtësit e të akuzuarve kishin ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit ku e njëjta mori vendim dhe rastin e ktheu në rigjykim.

Kurse në seancën e sotme është dhënë fjala përfundimtare.

Prokurorja Shemsije Asllani, deklaroi se mbetet pranë fjalës përfundimtare të dhënë në shqyrtimin e kaluar, dhe të njëjtën e dorëzoi në formë të shkruar.

Ndërsa mbrojtësit e të akuzuarve, avokatet Betim Gashi dhe Betim Shala, fjalën e tyre përfundimtare e dorëzuan në formë të shkuara, ndërsa elaboruan shkurt duke thënë se në këtë rast nuk ka pasur qëllim të dashjes.

Më pas kur i erdhi fjala të akuzuarit, Qëndrim Begu i njëjti shprehu keqardhje, duke thënë se të ndjerin e ka pasur shok.

“Nuk pajtona me prokuroren, me dashtë me vra e kisha vra 4 – 5 herë, por vetëm një herë kam gjuajt. Shpreh keqardhje që i ndjeri ka humbur jetën, ne kemi qenë shokë, unë jam vetëmbrojtë”, u shpreh Qëndrim Begu.

Kurse shpallja e aktgjykimit për këtë rast do bëhet më 16 shtator.

Aktakuza thotë se më 1 mars 2010, rreth orës 20:00, në Podujevë në rrugën “Qëndresa”, të akuzuarit kishin shkuar te shtëpia e tani të ndjerit Sevdaim Sinanit për të kërkuar borxhin që i ndjeri ua kishte këtyre.

Tutje thuhet se pasi të akuzuarit i kanë kërkuar borxhin, i ndjeri Sevdaim Sinani së bashku me vëllanë Gëzimin dhe babain Kajtazin, kanë filluar të përleshen fizikisht, e ku më pas i akuzuari Qëndrim Begu ka marrë revolen nga babai Senad Begu dhe ka shtënë në drejtim të të ndjerit Sevdaim Sinani, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.

Tutje aktakuza thotë se i akuzuari Qëndrim Begu ka gjuajtur në drejtim të babit të të ndjerit Kajtaz Sinanit dhe e ka plagosur në këmbë, pastaj ka shtënë në vëllanë e viktimës, Gëzim Sinanit, duke e qëlluar në anën e djathtë të barkut dhe në byzylykun e dorës së majtë e në fund ka shtënë në nënën e viktimës Adile Sinanin duke e lënë të plagosur. Pastaj të akuzuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes.

 

8 vite pas vrasjes së Sevdaim Sinanit zbulohet arma e përdorur nga të akuzuarit