8 vite pas vrasjes së Sevdaim Sinanit zbulohet arma e përdorur nga të akuzuarit

Arma që ishte zhdukur në vendin e ngjarjes zbulohet pas 8 viteve pasi u përdor për kryerjen e një vepre tjetër penale.

Senad e Qëndrim Begu, babë e bir u ballafaquan me prokurorinë në seancën e rigjykimit për vrasjen e Sevadim Sinanit më 1 mars 2012.

Në seancën e rigjykimit me udhëzimin e gjykatës së Apelit u dëgjua eksperti i balistikës Ilir Kukaj.

Fillimisht eksperti i balistikes (armëve) për gjykatën shpjegoi përbërjen kimike të fishekut të armës.

Eksperti Ilir Kukaj, tha se përbërja kimike grimcave të barutit përbehet nga nitratet dhe nitritet me përmbajtje të nitroglicerinës, ndërsa kapsolla ndezëse e fishekut përbëhet nga plumbi antimoni dhe bariumi.

Eksperti Kukaj, deklaroi se rëndësia e grimcave të barutit qëndron në faktin se pas shkrepjes e përcjellin rrugëtimin e predhës nga gryka e armës e deri në objektivin e qëlluar.

I pyetur nga kryetarja e trupit gjykues Suzana Çerkini, se a ekziston mundësia që në largësi prej 1 metër deri në 1 metër e gjysmë grimcat e barotit gjatë shkrepjes të mos gjenden në duart e të dëmtuarve dhe të akuzuarve?

Eksperti Ilir Kukaj u përgjigj se “Grimcat e barutit të djegura ose gjysmë të djegura mund të gjenden në sipërfaqen që është nëse kemi të bëjmë me armë të shkurtër deri në 1 metër kurse tek armët e gjata deri në 2 metra”.

Eksperti Kukaj, tutje tha se sipas shkencës këto grimca mund të hasen në duart e personit që ka pasur kontakt me armë pas së shtënës diku prej 4 deri në 8 orë pasi është përdorë arma, nëse personi nuk i ka pastruar duart,  nuk i ka futur në xhepa ose si ka fshirë me rroba.

Tutje eksperti shpjegoi se “Në personat që kanë shtënë me armë, merren grimcat e kapsollës ndezëse,  do të thotë nëse është detektua prezenca e grimcave të barotit të djegura ose gjysmë të djegura në një objekt në një largësi deri në një metër te armët e shkurta 1 m dhe armët e gjata 2 m, nëse e njëjta analizë nuk është bërë në duart e personave që kanë shtënë me armë mund të mos detektohet prezenca e nitrateve dhe nitriteve në duart e gjuajtësit”.

“Dallimi i marrjes së grimcave të barutit mes marrjes së tyre me stab magnetik dhe disk karboni qëndron në faktin se është e njëjta metodë por është vetëm çështje terminologjie”, deklaroi eksperti Kukaj.

Lidhur me largësinë e qitjes me armë eksperti i balistikës deklaroi se  në rastet kur nuk detektohen nitratet dhe nitritet, atëherë kemi të bëjmë me gjuajtje prej largësisë mbi një metër.

Ndërsa lidhur me 4 gëzhojat e gjetura në vendin e ngjarjes më 1 mars 2010 ku mbeti i vrarë tani i ndjeri Sevadim Sinani, eksperti i balistikës deklaroi se “Në vendin e ngjarjes janë gjetur 4 gëzhoja, arma nuk është gjetur në vendin e ngjarjes dhe tek asnjëra palë që nga 1 marsi 2012. Por arma që ka shkrepur 4 gëzhoja  është përdorë në ditën kritike më 1  mars 2012 është përdorur edhe në një rast tjetër dhe  ekspertimi i saj është bërë  me 16 janar 2020”.

Tutje eksperti zbuloi para gjykatës se “Arma që ishte përdorur më 1 mars 2010, ishte e tipit “Cervena Zastava” dhe gëzhojat e saj ishin të kalibrit 7.62×25 mm”.

I akuzuari Qëndrim Begu, deklaroi se “Unë dhe prindi jemi të lumtur se është gjetur arma, sepse u vërtetua e vërteta që unë e kam lënë armën në vendin e ngjarjes dhe shpresoj që drejtësia të dalë në shesh”.

Gjykata obligoi prokuroren e rastit, të fillojë hetimin se si ka përfunduar arma që është përdorur më 1 mars 2010 në duart e të akuzuarit ose të akuzuarve në rastin penal në vitin 2019.

Seanca  e radhës, u caktua për datën 2 korrik 2020, në ora 13:30.

Gjykata e shkallës së parë më 17 maj 2019 mori vendim me të cilin i shpalli fajtorë babë e birë për vrasjen e Sevdaim Sinanit dhe 3 tentim vrasje.

Qëndrim Begun e dënoi me 19 vite burgim dhe 500 euro dënim me gjobë për vrasjen e rëndë të Sevdaim Sinanit dhe armëmbajtje pa leje.

Ndërsa të akuzuarit Senad Begut i shqiptoi 11 vite burgim për veprat penale vrasje e rëndë në bashkëkryerje, vrasje e rëndë në tentativë dhe më 500 euro dënim me gjobë për armëmbajtje pa leje.

Por Apeli më 8 tetor 2019, me aprovimin e ankesave të avokatëve të të akuzuarve vendosi që çështjen penale ta kthejë në rigjykim.

Udhëzimet e Apelit për gjykatën e shkallës së parë janë që të dëgjohen edhe një herë dëshmitarët e rastit dhe eksperti i balistikës.

Aktakuza thotë se më 1 mars 2010, rreth orës 20:00, në Podujevë në rrugën “Qëndresa”, të akuzuarit kishin shkuar te shtëpia e tani të ndjerit Sevdaim Sinanit për të kërkuar borxhin që i ndjeri ua kishte këtyre.

Tutje thuhet se pasi të akuzuarit i kanë kërkuar borxhin, i ndjeri Sevdaim Sinani së bashku me vëllanë Gëzimin dhe babain Kajtazin, kanë filluar të përleshen fizikisht, e ku më pas i akuzuari Qëndrim Begu ka marrë revolen nga babai Senad Begu dhe ka shtënë në drejtim të të ndjerit Sevdaim Sinani, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.

Tutje aktakuza thotë se i akuzuari Qëndrim Begu ka gjuajtur në drejtim të babit të të ndjerit Kajtaz Sinanit dhe e ka plagosur në këmbë, pastaj ka shtënë në vëllanë e viktimës, Gëzim Sinanit, duke e qëlluar në anën e djathtë të barkut dhe në byzylykun e dorës së majtë e në fund ka shtënë në nënën e viktimës Adile Sinanin duke e lënë të plagosur. Pastaj të akuzuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes.