Gjykimi për vrasjen e Sevdaim Sinanit - Foto: KALLXO.com

Në Gjykimin për Vrasje Dëshmoi Vëllai i Viktimës

Në gjykimin për vrasjen e Sevdaim Sinanit si dhe tri tentim-vrasje, ku të akuzuar janë babë e bir, Senad e Qëndrim Begu, në cilësinë e dëshmitareve u dëgjuan vëllai i të ndjerit si dhe eksperti i Mjekësisë Ligjore.

Prokurori i çështjes Feti Turnizliu gjatë marrjes në pyetje të ekspertit mjeko-ligjor Arsim Gërxhaliu e pyeti atë rreth raportit mjekësor lidhur me ekspertizën e kryer në trupin e viktimës.

“Në raportin mjekësor thuhet se keni vërejtur plagë nga armë zjarri në kraharor në pjesën e përparme në nivel të nënsqetullës së majtë. Kjo plagë me armë zjarri në kraharor çka nënkupton? A është plagë vrimë hyrëse apo vrimë dalëse”, e pyeti prokurori ekspertin.

Për çka eksperti Gërxhaliu tha se vrima ka qenë vrimë hyrëse.

“Vrima të cilën e përmendi prokurori është vrimë hyrëse, e cila ndodhet në pjesën e përparme anësore të kafazit të kraharorit, ana e majtë”, deklaroi eksperti.

Më pas ai u pyet edhe në lidhje me distancën nga e cila ishte qëlluar viktima.

Në lidhje me këtë eksperti tha se për të qenë të sigurt sa i përket këtij fakti, rrobat e viktimës i janë dorëzuar Policisë për analiza të mëtejshme balistike.

“Bazuar në gjetjet në lëkurën e viktimës përreth plagës nuk kemi ndonjë djegie dytësore që në këtë rast ne themi se është qitje nga largësia mbi një metër nga aspekti mjekoligjor mirëpo ky nuk është një mendim i saktë meqë i ndjeri ka pasur shumë rroba në trupin e tij, si jaknen dhe dy bluza të tjera të cilat kanë mund ta ndalin rrugëtimin e gazrave dhe copëzave të barutit. Këto rroba i janë dorëzuar Policisë për analiza të mëtejme në AKF”, deklaroi eksperti.

Madje ai tha se në raport nuk ka një mendim të prerë për distancën dhe se kjo mund të kuptohet vetëm pas rezultatit të balistikës.

“Nuk ka një mendim të prerë për distancë. Ne mund të gabojmë nëse e japin për afërsi apo largësi meqë se ka qenë kohë e ftohtë dhe se i ndjeri ka pasur tri palë rroba të cilat ekziston mundësia se në qoftë se ka qenë nga afërsia të ndalen grimcat e barutit si dhe gazrat e liruara të cilat përcjellin pas shkrepjes së armës. Nuk përjashtohet asnjë mundësi por rezultatin e jep balistika nga AKF-ja”, shtoi tutje eksperti.

Eksperti më tej deklaroi se viktima kishte pasur një vrimë hyrëse dhe një vrimë dalëse. Që të dyja bashkë tha se krijojnë një plagë tejshkuese nga e cila ka hyrë dhe ka dalë predha.

Kurse për viktimën tha se ka ndërruar jetë si pasojë e fashitjes së organit të zemrës dhe nga gjakderdhja.

Në lidhje me rastin dëshmoi edhe vëllai i viktimës, dëshmitari Sali Sinani.

Ai i pyetur nga prokurori se nëse kishte pasur përpjekje që familjet të pajtohen tha se përkundër përpjekjeve ata nuk janë pajtuar dhe se nuk duan që të pajtohen.

Më pas ai u mor në pyetje edhe nga avokati Bekim Gashi, i cili e pyeti nëse atij i kujtohej ngjarja dhe ajo se çka ka deklaruar në Prokurori, gjë për të cilën dëshmitari deklaroi se e di se datën dhe orën kur ka ndodhur rasti por pasi që kanë kaluar tashmë gjashtë vjet ka mundësi që disa gjëra edhe mos t’i kujtohen.

Tutje ai tregoi se së bashku me tre vëllezërit kishin punuar në Fushë-Kosovë dhe tha se në natën kritike ai së bashku kishin qenë në makinë duke u kthyer për në shtëpi kur vëllanë e tij Sevdaimin e kishte telefonuar Senadi, i cili i kishte thënë se nga ajo ditë do t’ia dyfishonte shumën e borxhit.

“Pasi që e ka ndalë telefonin Sevdaimi i ka tregu Gëzimit deri sa ishim në kerr se Senadi më thirri më tha për pare prej sot e andej kemi me t’i dyfishu paret e jo veç ato që i ke borxh”, tha dëshmitari.

Ai shtoi se më pas vëllai i tij Gëzimi ia kishte kërkuar numrin Sevdaimit dhe e kishte telefonuar më pas Senadin.

“Gëzimi e ka thirr rrugës sa ishim në kerr Senadin dhe i ka thënë s’ka nevojë me i dyfishu paret se paret t’i jepi, te shpija s’ke nevojë me më ardh”, deklaroi dëshmitari t’i kishte thënë vëllai i tij tashmë të akuzuarit Senad Begut.

Tutje avokati Bekim Gashi e pyeti dëshmitarin se kur të tre vëllezërit kishin shkuar në shtëpi a kishte qenë në shtëpi ngrohtë dhe nëse të njëjtit i kishin hequr jaknet.

Dëshmitari tha se të tre i kishin hequr jaknet dhe ishin ulur për të ngrënë bukë.

“Atë natë the që të tretë jeni ulë me hangër bukë. A ka dalë dikush prej shtëpisë pa e përfundu bukën”, e pyeti avokati Gashi.

“Po, Gëzimi ka dalë, s’e di për sa kohë”, u përgjigj dëshmitari, i cili kur u pyet më pas nga avokati se pasi që kishte dalë Gëzimi jashtë a kishte qenë jashtë edhe dikush tjetër nga anëtaret e familjes, i njëjti u përgjigj me “nuk më kujtohet”.

Këtë përgjigje e dha edhe kur u pyet nga avokati nëse pasi që kishte dalë Gëzimi jashtë a kishin dëgjuar ndonjë zhurmë apo diçka të pazakontë si dhe nëse pas Gëzimit të kishte dalë edhe ndokush tjetër jashtë.

Pasi që në disa pyetje me radhë avokati mori përgjigjen e njëjtë nga dëshmitari me “nuk më kujtohet”, avokati nuk e mori më në pyetje dëshmitarin, duke potencuar se ai qëllimisht po u shmangej pyetjeve të tij.

http://kallxo.com/avokati-mungon-ne-gjykimin-per-vrasje/

Prokuroria akuzon Qëndrim dhe Senad Begun për vrasje të rëndë, tri tentim-vrasje si dhe armëmbajtje pa leje.

I akuzuar në këtë rast kishte qenë edhe një person tjetër që ka vdekur dhe për të është pushuar procedura penale.

Qëndrim e Senad Begu sipas aktakuzës më 1 mars 2012 me dashje kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Sevdaim Sinani pas një mosmarrëveshjeje që kishin për shkak të një borxhi.

Lëndime të lehta nga predhat e revoles sipas aktakuzës në këtë rast kishin marrë edhe Kajtaz Sinani, Gëzim Sinani dhe Adile Sinani.