Mechthild Henneke. Foto: AKUD/Lars Reimann, kortezi e Mechthild Henneke.

Ish-zëdhënësja e UNMIK-ut shkruan një libër për Kosovën

Gazetarja gjermane Mechthild Henneke, e cila për disa vite ka punuar në misionin e OKB-së në Kosovë, ka botuar një roman për një studente mjekësie që i bashkohet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si luftëtar vullnetar.

Mechthild Henneke, një ish-zëdhënëse e misionit të OKB-së në Kosovë, ka përdorur përvojat e saj në vend si material për romanin e saj të parë të botuar së fundmi, në lidhje me luftën e fundit të viteve 1990, me titull “Ach, Mein Kosova!” (‘Oh, Kosova ime!”).

Henneke, e cila tani është gazetare e pavarur dhe konsulentë për marrëdhëniet me publikun në Berlin, u bë zëdhënëse e UNMIK-ut pas trazirave të dhunshme që shpërthyen në Kosovë në vitin 2004 dhe punoi për misionin për katër vjet.

Por ajo fillimisht shkoi në Kosovë në vitin 1998 si vullnetare për një OJQ në qytetin e Gjakovës në Kosovë.

“Ishte pothuajse luftë. Pashë njerëz të vrarë, njerëz të zhvendosur dhe u preka nga brutaliteti dhe ndjenja se diçka më e madhe, diçka më e keqe po vjen, që ndodhi pasi NATO-ja filloi fushatën e saj ajrore kundër regjimit të presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviç në 1999”, tha Henneke për BIRN.

Libri i saj, për të cilin ajo tha se është “kryesisht i bazuar në ngjarje reale”, tregon historinë e një studenti shqiptar të mjekësisë nga Kosova, i cili lë jetën dhe punën e tij në Gjermani për t’iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të sapokrijuar.

Bazuar në një personazh real, ai është një kronikë prekëse e dhunës së kohës së luftës dhe e dilemave me të cilat përballet mjeku që vendos të shkojë në luftë.

Libri bazohet kryesisht në një personazh real që ka punuar për njësinë mjekësore të Trupave Mbrojtëse të Kosovës në periudhën e pasluftës.

Libri shqyrton se si luftëtarët vullnetarë në Kosovë kishin ndjenja të përbashkëta entuziazmi patriotik, por sa prej tyre u përballën me zgjedhje të dhimbshme në mes të brutalitetit të konfliktit.

“Është zëri i tyre i brendshëm – ‘Vendi juaj ka nevojë për ju’ – që i shtyn ata të marrin vendime të vështira, shpjegoi Henneke.

Ajo tha se rrëfimi ka jehonë nga vetë e kaluara e familjes së saj.

“Gjyshi im u vra nga sovjetikët gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe unë kam jetuar me historinë e tij. Në disa raste, gjej shumë ngjashmëri mes Kosovës dhe Gjermanisë, veçanërisht në mënyrën se si lufta ka ndikuar në jetën e njerëzve, sidomos të viktimave”, tha ajo.

Ndryshe nga shumë histori të luftës së Kosovës, personazhi kryesor në librin e Henneke nuk e sheh veten dhe shokët e tij si superheronj.

“Ai paguan një çmim të lartë dhe në fund nuk është aq krenar”, tha ajo. /BalkanInsight