Ish-përmbaruesja lirohet nga akuza për konfiskimin e traktorit të gabuar

Gjykata Themelore në Prizren e ka liruar nga akuza për konfiskimin e traktorit të gabuar, ish-përmbaruesen Saranda Kuçi.

Të martën, gjykata konsideroi se akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare nuk është provuar.

Vendimi lirues u mor nga kryetarja e trupit gjykues, Raima Elezi me anëtarët Ajser Skenderi dhe Gani Kastrati.

Gjykata udhëzoi të dëmtuarin Xhavit Gegaj që kërkesën pasurore juridike ta realizojë në kontest civil.

Palët në këtë procedurë kanë të drejtë ankese brenda afatit prej 30 ditësh.

I pakënaqur me këtë ka reaguar edhe i dëmtuari, Xhavit Gegaj i cili e ka konsideruar si vendim jo të drejtë.

“Çfarë vendimi ke marrë, në Gjykatë të Strasburgut do të shkoj. Ligji se lejon me marr mjete bujqësore si e keni leju ju? Që nga fillimi keni qenë e njëanshme, dhe jeni sjellë ashpër. Palë e dëmtuar, e po e lironi këtë. Kjo është skandaloze, çfarë vendimi keni marr kështu? Ligji s`po e lejon, pse me bo parregullsi. Kah e morët këtë vendim nuk po mund ta kuptoj duhet të jepni arsye. Unë jam i dëmtuar e kjo është akuzë për mua. I dëmtuar, m`i ka marr të gjitha gjërat i mbledh dhe i ka prish, nuk po mund ta kuptoj këtë vendim”- deklaroi i dëmtuari.

Sipas aktakuzës, e pandehura Saranda Kuçi si person zyrtar duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar në cilësi të përmbarueses private, i tejkalon kompetencat e saj me qëllim që të përfitojë dobi për vete ose për personin tjetër apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër.

Në aktakuzë thuhet se më 22 dhjetor 2021, rreth orës 10:00, në kundërshtim me Ligjin për procedurën përmbarimore në oborrin e shtëpisë së të dëmtuarit Xhavit Gegaj nga fshati Studençan – Komuna e Suharekës, urdhëron përmbarimin në objektin e papërshtatshëm, e konfiskon traktorin e tipit “Hurliman” pronë e tani të ndjerit H. B., nga fshati Reshtan.

Prokuroria thotë se traktorin e konfiskuar e ka dërguar në pllacin ndërtimor të kreditorit B. G., NPT “L.”, në rrugën e Reshtanit.

Me këto veprime e pandehura kishte për të përmbushur elementet e veprës penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Raportimet e KALLXO.com mund t’i lexoni në këtë LINK.