Mirsad Shkreta me Albin Kurtin | Foto: Facebook

Ish-deputeti i LVV-së e ish-këshilltari i Arben Vitisë rrugës për t’u zgjedhur në krye të QSKUK-së

Nuk arriti të marrë votat e mjaftueshme për t’u bërë deputet, por arriti të marrë mbi 92 pikë në testin me shkrim dhe intervistën për pozitën e drejtorit në Qendrën Klinike Stomatologjike Universitare të Kosovës (QSKUK).

Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mirsad Shkreta është zgjedhur kandidati fitues në konkursin për pozitën e Drejtorit të Qendrës Klinike Stomatologjike Universitare të Kosovës (QSKUK).

Sipas njoftimit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), Shkreta ka grumbulluar gjithsej 92.5 pikë nga testi me shkrim dhe intervista në këtë konkurs.

Ish-deputeti Shkreta është i vetmi kandidat që ishte intervistuar për këtë pozitë, pasi vetëm ai kishte kaluar testin me shkrim.

Në listën e kandidatëve që kishin plotësuar kriteret fillestare për Drejtor të QSKUK-së ishin edhe: Zana Sllamniku-Dalipi, Kastriot Meqa (i cili ka udhëhequr me QSKUK-në si Drejtor), Aida Namani-Rexhepi dhe Shqiprim Bajrami.

“Tani jam duke hyrë në klinikë. M’i dërgo pyetjet me shkrim, çka do që të keni, për dy orë ju përgjigjem” – tha shkurtimisht Shkreta për KALLXO.com

KALLXO.com i ka dërgues pyetjet me shkrim Shkretës dhe është në pritje të përgjigjeve.

Shkreta ishte deputet i Kuvendit të Kosovës në legjislaturën e fundit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai kandidoi për Deputet edhe në Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, por ndonëse i mori mbi 10,000 vota, ato ishin të pamjaftueshme për t’ia siguruar ulësen në Kuvend.

Shkreta ishte emëruar anëtar i Bordit të ShSKUK-së në vitin 2020 me vendim të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia. Asokohe, ai ishte këshilltar i ministrit Vitia.

Në deklarimin e pasurisë për vitin 2024, Shkreta kishte deklaruar se punon si profesor në një institucion privat dhe si mjek stomatolog/kirurg oral në dy institucione të tjera private.

Ish-deputetit Shkreta në vitin 2022 kishte qenë cak i hajnave të cilët dyshohen se i vodhën 50 mijë euro në banesën e tij.

Vjedhja mori jehonë edhe kur u kuptua që deputeti nuk i kishte të deklaruar këto mjete në Agjencinë Kundër Korrupsionit, e cila në një përgjigje për KALLXO.com në atë kohë tha se nëse vërtetohet se paratë janë mbajtur “cash” nga viti i kaluar, atëherë ka mundësi të cilësohet si shkelje.

Mirsad Shkreta kishte qenë pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Shkreta ishte asamblist i PDK-së në Han të Elezit. Kadri Veseli i PDK-së në RTV21 për kalimin e Shkretës në LVV kishte thënë se “u largu prej neve se nuk u bë drejtor”.

KALLXO.com ka raportuar për zgjedhjen dhe kandidimin e personave të afërt më LVV-së në pozita të larta të sektorin e shëndetësisë në Kosovë.

Në korrik të vitit 2023, në krye të ShSKUK-së ishte zgjedhur Elvir Azizi, shok i studimeve të Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.

Azizi dhe Vitia kanë qenë kolegë të studimeve, por e kanë vazhduar shoqërinë e tyre edhe pas përfundimit të studimeve. Në një fotografi të vitit 2017, të siguruar nga KALLXO.com, Azizi shihet bashkë me Vitinë, bashkëshortet e tyre dhe me disa persona të tjerë në Prishtinë.

KALLXO.com pati raportuar më 22.11.2024 se kandidatja për drejtoreshë të Spitalit të Mitrovicës, Laura Nushi, e cila mbante në atë kohë këtë pozitë si ushtruese e detyrës, është parë në organizimet e tubimet e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje. Konkursi më pas ishte anuluar.

Nushi në mars të këtij viti është shkarkuar nga pozita e U.D drejtoreshës së Spitalit të Mitrovicës nga ShSKUK.

Pjesë e konkursit për drejtor të QKSUK-së ishte edhe ish-drejtori i këtij institucioni, Kastriot Meqa.

Ai mori vetëm 47 pikë në testin me shkrim, të pamjaftueshëm këto për të kaluar në fazën e intervistimit për pozitën e drejtorit.

I kontaktuar nga KALLXO.com, Meqa tha se nuk ka koment për këtë.

Meqa ishte zgjedhur drejtor i QSKUK në shkurt të vitit 2022 me gjithsej 90.9 pikë, nga të cilat 34.5 në testin me shkrim dhe 46.4 pikë në intervistën me gojë.

KALLXO.com kishte raportuar edhe në vitin 2022 se si Meqa kishte arritur të marrë mbi  99 për qind të pikëve në testin me shkrim.

Testi me shkrim në atë kohë kishte pasur 10 pyetje të cilat do të vlerësoheshin me 3.5 pikë secila e maksimumi që një kandidat do të mund të merrte ishte 35 pikë. Meqa arriti të grumbulloi 34.5 nga gjithsej 35 pikë në këtë test.

Me këtë fakt KALLXO.com kishte përballur edhe Ministrin e Shëndetësisë në atë periudhë, Rifat Latifi.

“Unë sot me konkuru për drejtor të një klinike, unë bijë në provim sepse nuk i di ligjet. Nëse ta jep dikush testin nuk është ligjore”- kishte thënë Latifi në #KALLXOPërnime.

KALLXO.com kishte publikuar në prillin e 2024 hulumtimin “Burrat e Stomatologjisë i kallxojnë dhëmbët aty ku duhet t’i ndreqin dhëmbët”.

Albena Reshitaj, Nora Berisha dhe Nora Aliu, të tria punëtore të Stomatologjisë në UP dhe SHSKUK, treguan për KALLXO.com se si janë marrë Këshilli i Etikës i UP-së, Policia e Prokuroria me ankesat që ato i kanë bërë për raste të kërcënimeve dhe pengesave në mësim që, sipas tyre, kanë ndodhur në tetor dhe nëntor të2023.

Gati një muaj pas raportimit për kërcënim të pretenduar ndaj Reshitajt, Nora Aliu, asistentja e Ortodoncisë e raporton në Katedrën e Ortodoncisë të njëjtin njeri, Sokol Krasniqin, i cili thotë se i ka penguar gjatë procesit mësimor në sallë të Klinikës së Stomatologjisë, ku ajo me asistenten Nora Berisha ishin duke mbajtur ushtrime më 06.11.2023.

Sipas Aliut, ato e kanë adresuar problemin te Meqa në Klinikën e Sëmundjes së Gojës më 06.11.2023, mirëpo ai nuk u kishte ndihmuar.“(Kastriot Meqa) tha: ‘Unë nuk kam çka me ju ndihmu juve, ju e keni profesoreshën (Albena Reshitajn)’” – thotë Aliu.

Kur është kontaktuar nga KALLXO.com, Meqa ka thënë se asistentet e kanë paraqitur gojarisht tek ai problemin që kanë pasur me asistentin Krasniqi, gjë që sipas tij ka qenë keqkuptim.

“Ato asistentet kanë ardhë te une edhe kanë shprehur atë brengën e vet pse i ka ndalë (Sokol Krasniqi). Unë menjëherë kam reagu edhe doktor Sokoli menjëherë e ka kthy mbrapa atë veprim edhe nuk ka pasë as procedurë të nisur, as ankesë, as kurrgjë me shkrim. Kështu që unë atë rast e kam pa si diçka që është keqkuptu edhe për një kohë shumë të shkurtë është sqaru krejt kush çka ka të drejtë aty me punu” – është përgjigjur Meqa më 20.03.2024.

Shënim: Artikulli është edituar më 07.04.2025, ora 16:02, duke i shtuar informacioni se ish-drejtori Kastriot Meqa nuk kishte arritur ta kalonte testin me shkrim.