
“Vajza po varet nga ato injeksione” - Ankesa për mungesën e hormonit të rritjes në SHSKUK
E.R., 11 vjeç nga Obiliq tash e tetë muaj nuk ka marrë hormonin Somatropin 5.3 mg, anipse e ka të domosdoshme për shkak të problemit që ajo ka me rritjen. Mungesa e tyre në SHSKUK e çmimi i lartë i tyre në treg e ka bërë të pamundur blerjen e tyre nga familja e saj.
Hormoni Somatropin 5.3 mg është i nevojshëm për fëmijët të cilët kanë problem me rritje dhe ajo merret në formë të injeksionit, varësisht nga përshkrimi i mjekut për sasinë brenda muajit.
Familjarët e E.R. tregojnë se ajo duhet të marrë katër injeksione brenda muajit, në mënyrë që të vazhdojë trajtimin që ka nisur katër vjet më parë. Ata thonë se e kanë të pamundur të blejnë këto injeksione me vetëfinancim, për shkak të çmimit të lartë.
“Qe afër një vjet po thonë ka mungesë për këtë injeksion. Katër copa i duhen në muaj. Për katër javë duhen katër copa. Çmimi është diku 120 euro; për katër copa diku 460 euro. Që nga gushti nuk i ka marrë. Vajza po varet nga ato injeksione.” – thonë ata për KALLXO.com.
Mosmarrja e hormonit të rritjes mund të ketë edhe pasoja. Hafize Rafuna, pediatre endokrinologe në QKUK, thotë se fëmijët të cilët nuk marrin trajtim me hormonin e rritjes mund të përballen me një sërë pasojash – duke përfshirë rritjen e ngadaltë, vonimin në pubertet, humbjen e masës muskulore e probleme me energji.
“Fëmija nuk arrin lartësinë e pritshme për moshën e tij dhe mund të mbetet më i shkurtër se moshatarët. Kockat mbeten më të dobëta dhe më të holla, duke rritur rrezikun e frakturave në të ardhmen. Puberteti mund të fillojë shumë më vonë ose të mos ndodhë fare pa ndërhyrje hormonale. Mungesa e GH ndikon në metabolizëm – duke e bërë më të vështirë ruajtjen e një peshe të shëndetshme.” – ka deklaruar Rafuna për KALLXO.com.
Nga SHSKUK thonë se në fillim të vitit të kaluar kishin ndërprerë Kontratën për Furnizim me Somatropin 5.3 mg, pasi Operatori Ekonomik kishte njoftuar se prodhuesi nuk mund të sigurojë produktin.
Nga ky institucion theksojnë se kanë iniciuar disa herë Kërkesën për Kontraktim të produktit, por në mungesë të ofertuesve procedurat kanë dështuar.
“Kemi vazhduar të kemi furnizim me donacione dhe në të njëjtën kohë SHSKUK ka iniciuar Kërkesën për Kontraktim të produktit, por fatkeqësisht procedurat kanë dështuar disa herë radhazi për mungesë të ofertimit nga OE.” – thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së, për KALLXO.com.
Nga ky institucion ka treguar se furnizimi me Somatropinë është problem edhe në vendet e rajonit.
SHSKUK tha se kanë ri-iniciuar procedurat për kontraktimin e këtij hormoni.