
Hapet Konkursi për Drejtor të QKUK-së të Spitalit të Ferizajit dhe të Mitrovicës
Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka njoftuar për hapjen e Konkursit për Drejtor të Përgjithshëm të Spitalit Rajonal të Ferizajit dhe atij të Mitrovicës.
SHSKUK ka hapur Konkurs edhe për Drejtor të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Aktualisht, U.D. i kësaj pozite është Osman Hajdari.
Konkursi do të jetë i hapur nga sot, më 25.02.2025 e deri më 25.03.2025.
Pretendentët për këto pozita duhet të kenë së paku gjashtë vjet përvojë profesionale; prej tyre tri në pozita menaxheriale.
Kriteret dhe kushtet për këtë Konkurs mund t’i gjeni: KËTU!
Në dhjetor të vitit të kaluar SHSKUK kishte anuluar Konkurset për Drejtor të Spitalit të Ferizajit dhe të Mitrovicës, ndërsa në janar SHSKUK kishte anuluar edhe Konkursin për Drejtor të QKUK-së.
KALLXO.com pati raportuar, më 22.11.2024, se kandidatja për Drejtoreshë të Spitalit të Mitrovicës, Laura Nushi, e cila veçse mban këtë pozitë si Ushtruese e Detyrës është parë në organizimet e tubimet e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.
Për të pyetur rreth pozitës së Nushit në instancat e Vetëvendosjes, KALLXO.com ka provuar të marrë përgjigje nga Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, kryesuese e Këshillit të Përgjithshëm të organizatës Gratë për Vetëvendosje; Arlind Manxhuka, zëdhënës i LVV-së; Dafina Gexha, zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Arben Vitia, ministër i Shëndetësisë, si dhe kryetar i Degës së LVV-së, në Prishtinë. Mirëpo, asnjëri prej tyre nuk është përgjigjur. KALLXO.com s’ka mundur të marrë përgjigje as nga vetë Nushi. Edhe pse, këtë provoi ta bëjë përmes thirrjeve, mesazheve e vizitës në Spitalin e Mitrovicës.