Ish-kandidati për deputet i Vetëvendosjes emërohet anëtar bordi i ShSKUK-së

Qeveria në detyrë e Kosovës në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës bëri të ditur se e ka aprovuar vendimin për shkarkimin e Bordit Drejtues të Shërbimit Klinik Universitar të Kosovës, për arsye se nuk i ka përmbushur detyrat dhe përgjegjësitë e rëndësishme të përcaktuara me Statutin e SHSKUK-së dhe ka dështuar në arritjen e objektivave.

Me po të njëjtin vendim Qeveria në detyrë e ka emëruar Bordin e ri në përbërje prej shtatë anëtarësh.

Pjesë e këtij bordi është bërë edhe Mirsad Shkreta, këshilltar i ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili vjen nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. Shkreta gjithashtu në zgjedhjet nacionale të vitit 2017 ka qenë kandidat për deputet të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. Në këto zgjedhje Shkreta i kishte siguruar 3,387 vota, duke mos arritur të bëhet deputet i LVV-së.

ligjin për Shëndetësi, neni 64 përcaktohet mënyra e përzgjedhjes së bordit të SHSKUK-së. Bordi përbëhet nga shtatë anëtarë të cilët zgjidhen me vendim të qeverisë pas propozimit që bëhet nga ministri i Shëndetësisë. Në këtë bord ka përfaqësues të QKUK-së, Klinikës Stomatologjike. Institutit Kombëtarë të Shëndetësisë publike, përfaqësues nga Spitalet rajonale. Në këtë bord duhet të jetë edhe një përfaqësues i ministrisë së Shëndetësisë. I vetmi anëtarë i këtij bordi që zgjidhet përmes një konkursi publik është eksperti i menaxhmentit shëndetëso me kualifikime të larta profesionale shkencore.

Ndërsa, sa i përket përfaqësuesit të ministrisë së Shëndetësisë nuk jepen detaje në ligj e as në Statutin e SHSKUK-së nëse ai duhet të jetë nga shërbyesit civil të kësaj ministrie, apo ministri ka të drejtë të propozojë edhe persona nga kabineti i tij, pra staf politikë.

Lidhur me këtë çështje, KALLXO.com e ka kontaktuar ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia për të kuptuar se pse Shkreta është emëruar në këtë pozitë, por Vita ka qenë i paqasshëm përmes telefonit.

KALLXO.com i ka përcjell ministrit edhe pyetje në formë të shkruar, por deri në publikimin e këtij artikulli, nuk ka pranuar përgjigje.

Mirsad Shkreta para se të aderonte në Vetëvendosje, ka qenë pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës.

KALLXO.com ka raportuar se stomatologu nga Hani i Elezit, Mirsad Shkreta që në vitin 2013 si delegat i këtij qyteti ishte i vetmi që në Konventën e Gjashtë të PDK-së votoi kundër rizgjedhjes së Hashim Thaçit në krye të kësaj partie.

Foto: Facebook

Kur votoi kundër zgjedhjes së Thaçit kryetar partie, Shkreta kishte thënë për Gazetën Jeta në Kosovë se kryetari i atëhershëm i PDK-së nuk i ishte hakmarrë për votën kundër.

Më pas në vitin 2014 ish-asamblisti i PDK-së iu bashkua këshilltarëve komunalë të Vetëvendosjes në Han të Elezit.

Në anën tjetër, pjesë e Bordit të ri të ShSKUK-së, janë edhe: Agreta Gecaj – Gashi – QKUK; Aida Rexhepi– Qendra Klinike Universitare Stomatologjike e Kosovës; Xhevat Jakupi – IKSHhPK; Diana Dafota – Spitali i Përgjithshëm Gjakovë – Në bazë të rotacionit dhe përmbushjes së indikatorëve të kualitetit të shërbimeve shëndetësore; Sadete Hadri – Shërbimet e Kujdesit Parësor Shëndetësor; Një ekspert i menaxhmentit shëndetësor, i zgjedhur në bazë të konkursit publik.

Kurse, kryesues i Bordit Drejtues të SHSKUK është emëruar Xhevat Jakupi nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, me mandat 1 vjeçar të cilin e pason me radhë në vitin e dytë përfaqësuesi i QKUK dhe në vitin e tretë përfaqësuesi i QKSUK.