Jetmir Fandaj, Suharekë - Foto: KALLXO.com
Në kërkim të punës
E përditshme për Jetmir Fandaj mbetet barra për të gjetur një vend pune, gjersa orvat kërkesat për t’u punësuar nga një institucion tek tjetri – pa asnjë rezultat.
Gjashtë muaj, sa pati punuar në një market në Suharekë, Jetmir Fandaj, 31 vjeç nga fshati Peqan, i kujton si ditët kur jeta i mori kuptim. Përgjatë kohës sa punonte, ai thotë se gjithçka ishte më mirë. Fatkeqësisht, kontratën nuk ia zgjatën dhe tashmë e një kohë është në kërkim të një kuptimi të ri.
Fandaj, i diagnostikuar me një sëmundje që e bëri të kategorizohet në mesin e personave me aftësi të kufizuara, është lodhur nga sfidat e përditshme për një vend të sigurt pune që i siguron rehati financiare.
“Dita po shkon, si me zor, po çka me ba. Atëherë ma mirë ka qenë, se shkojsha në punë, u kthejsha në shpi, shkojke dita shpejt tash hiç, tu nejt” – rrëfen me mallëngjim për KALLXO.com, Jetmir Fandaj për kohën kur kishte një punë.
Tash, ai shprehet i zhgënjyer që nuk iu vazhdua kontrata pas gjashtë muajsh pune në njërin prej rrjeteve të marketeve të mëdha në Suharekë.
“Gjashtë muaj t’u dashta [drejtuar marketit ku punonte] e mas gjashtë muajsh shko ku të duash. Unë jam zhgënjyer pas gjashtë muajsh sepse nuk ma vazhduan kontratën. Unë nuk zgjedh punë, çka të ka punoj…” – thotë ai.
Jetmir Fandaj, Suharekë – Foto: KALLXO.comSipas Ligjit për Aftësimin, Riaftësimin Profesional dhe Punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuara, çdo punëdhënës në Kosovë, duke përfshirë institucionet publike dhe bizneset, është i obliguar të punësoj një person me aftësi të kufizuar në çdo të 50-tin punëtorë.
Jetmiri ka një kërkesë për qeverisjen lokale në Suharekë dhe nivelin qendror.
“Unë pres nga Komuna [e Suharekës] por edhe nga Qeveria ma shumë mundësi. Se kur je në punë, del pak, shkon, kthehesh, është edhe për ne pak më ndryshe. Kur s’po je në punë, po ka harxhime. Kërkesa është, jo veç për mua, po për të gjithë personat me aftësi të kufizuara me na siguru punë” – deklaron ai.
Organizata që mbron dhe promovon të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, HANDIKOS, nuk posedon shifra të sakta rreth punësimit të personave që i përkasin kësaj kategorie.
Obligim e kanë, por nuk i punësojnë
Një hulumtim i KALLXO.com në vitin 2024, zbuloi se në administratën e Komunës së Suharekës është i punësuar vetëm një person me aftësi të kufizuara, anise numri i përgjithshëm i të punësuarve është 180.
Sipas të dhënave të Administratës Tatimore të Kosovës në komunën e Suharekës janë 15 biznese që do të duhej të punësonin persona me aftësi të kufizuara, ndërsa qindra të tjera në tërë vendin.
“Në komunën e Suharekës janë 15 biznese, të cilat gjatë vitit 2024, në të paktën në njërin nga muajt gjatë këtij viti kanë deklaruar mbi 50 punëtorë. Bazuar në të dhënat e ATK-së, numri i bizneseve që kanë numër më të madh se 50 punëtorë të regjistruar është 748” – thuhet në një përgjigje të ATK-së për KALLXO.com.
Suzana Gashi, drejtoreshë e HANDIKOS në Suharekë, thotë se punësimi i personave me aftësi të kufizuara mbetet ende larg asaj që duhet të jetë. Sipas saj, nuk mjafton vetëm vendi i punës, por edhe kushtet.
“Nuk mjafton vetëm punësimi, por personat me aftësi të kufizuar duhet të kenë edhe kushte për punë, pra në vendin e punës me pas qasje. Pastaj, personat me aftësi të kufizuara duhet të punojnë me gjysmë orari, ne kemi pasur raste kur ata kanë punuar edhe më tepër se 8 orë” – thotë ajo për KALLXO.com.

Gashi ka një mesazh për institucionet publike është: që vetëm ta zbatojnë ligjin, asgjë më shumë, “le të punojnë sipas ligjit, si institucionet ashtu edhe bizneset, të bëjnë edhe adaptimin e vendit të punës”.
Jetmir Fandaj ka aplikuar në vazhdimësi nëpër konkurse për ta siguruar një vend pune, por sipas tij, ai nuk u ftua asnjëherë nga bizneset. Për shkak të aftësisë së kufizuar fizike, ai thotë se nuk mund të bëjë çfarëdo pune.
“T’isha kanë i shëndoshë, siç janë të tjerët, tash isha duke punuar, punë të tjera, se kisha pritë në këto vende ku mundem me punu për shkak të dorës” – thotë ai.
“Unë ndërtimtari nuk mund të punoj për shkak të dorës edhe këmbës, i kam kështu që nga lindja. S’mund të ngre pesha, vetëm me dorë të djathtë, të majtën nuk mundem. Kam punu në parking, barin e kam pastru” – kujton ai.
Hulumtimi i vitit të kaluar, zbuloi se nga 27 institucionet publike të monitoruara, vetëm një prej tyre plotësoi standardin ligjor për punësimin e personave me aftësi të kufizuara.
Nga puna në terren u konstatua që objektet ku veprojnë institucionet publike nuk ofrojnë qasje për persona me aftësi të kufizuara.
Ato kanë pjerrina në hyrje, por në shumicën prej tyre, siç treguan të dhënat e monitorimit, mungojnë ashensorët për katët e sipërme, tualetet e veçata për persona me aftësi të kufizuara, akustika për persona të verbër, sinjalistika për të shurdhër dhe parkingje të dedikuara për persona me aftësi të kufizuara.
