Isa Mustafa

Isa Mustafa - veprimtarëve të LDK-së: Kur jemi bashkë s'ka kush na del para

Një ditë pasi është zgjedhur për mandatin e tretë në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kryetari Isa Mustafa i është drejtuar veprimtarëve të saj.

Mustafa ka falënderuar delegatët e LDK-së që kanë qenë pjesëmarrës në Kuvendin e nëntë Zgjedhor.

Gjithashtu tha se në këtë Kuvend u  demonstrua një kulturë demokratike, e muratuar me durim dhe përpjekje të mëdha gjatë 30 vjetëve të zhvillimit dhe ekzistencës dhe veprimit të LDK-së. 

“E trashëguar dhe e kultivuar me kujdes dhe respekt nga Kryetari dhe Presidenti ynë Historik, Ibrahim Rugova. Kjo është vlerë e jonë e përbashkët!”, ka shkruar Mustafa në Facebook. 

Më tej, kryetari Mustafa ka thënë Kuvendi Zgjedhor i ka bashkuar të gjitha gjeneratat dhe të gjitha aspiratat. 

“Kështu, bashkë, do të shkojmë drejtë fitores së madhe në zgjedhjet e ardhshme. Kur jemi bashk, s’ka kush që na del para!”, ka shtuar Mustafa.

Më poshtë mund të lexoni postimin e plotë të kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa: 

Veprimtare e veprimtarë të LDK-së. Ju që meritoni respektin më të madh. 

Dje përfunduam Kuvendin e Nëntë Zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Nga 355 delegatë, edhe pse në periudhë pushimesh, morën pjesë 350, që flet për përgjegjësinë e lartë dhe përkushtimin e tyre për LDK-në dhe vlerat e saj. Unë u jam shumë mirënjohës!

Në Kuvend u demonstrua një kulturë demokratike, e muratuar me durim dhe përpjekje të mëdha gjatë 30 vjetëve të zhvillimit dhe ekzistencës dhe veprimit të LDK-së. E trashëguar dhe e kultivuar me kujdes dhe respekt nga Kryetari dhe Presidenti ynë Historik, Ibrahim Rugova. Kjo është vlerë e jonë e përbashkët!

Kuvendi ynë unifikoi diversitetin tonë të mendimit dhe të veprimit, që emrues të përbashkët e ka programin tonë politik të qendrës së djathtë, dhe për më shumë e ka Kosovën tonë. Kuvendi na bashkoi të gjithëve. Të gjitha gjeneratat dhe të gjitha aspiratat. Kështu, bashkë, do të shkojmë drejtë fitores së madhe në zgjedhjet e ardhshme. Kur jemi bashk, s’ka kush që na del para!

E konsideroj veten të nderuar me besimin që ma dhanë delegatët e Kuvendit. Këtë besim e meritojnë dhe e kanë merituar shume veprimtarë dhe veprimtare të LDK-së. LDK ka njerëz të mrekullueshëm.
Besimin tuaj e konsideroj përgjegjësi ndaj gjithë juve!