Instituti gjerman: Bie ndjeshëm interesimi i ndihmës ndërkombëtare për Ukrainën, shtetet po hezitojnë gjithnjë e më shumë

Studiuesit gjermanë të cilët i monitorojnë paketat e ndihmës ndërkombëtare për Ukrainën kanë njoftuar se ndihma ndërkombëtare ushtarake dhe financiare për Ukrainën ka rënë ndjeshëm në muajt e fundit. Nga gushti deri në tetor, Ukrainës iu premtuan paketa ndihme në shumën totale prej 2.11 miliardë euro, ka bërë të ditur Instituti Kiel për Ekonominë Botërore (Ifë).

Kjo është pak më shumë se një e dhjeta e shumës nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe niveli më i ulët që nga janari i vitit 2022, përpara pushtimit rus të Ukrainës, thuhet në deklaratë. Ifw e regjistron rregullisht të gjithë ndihmën e premtuar për Ukrainën. “Shifrat tona konfirmojnë përshtypjen se donatorët janë bërë më hezitues në muajt e fundit,” ka deklaruar  Christoph Trebesch, udhëheqësi i ekipit të monitorimit të ndihmës në Ukrainë.

Pasiguri për ndihmën e mëtejshme amerikane

Ukraina po bëhet gjithnjë e më e varur nga një numër i vogël mbështetësish të mëdhenj, të tillë si Gjermania, SHBA dhe vendet nordike. SHBA dhe BE po diskutojnë paketa të mëdha ndihme, por këto ndihma kanë ngecur për shkak të mosmarrëveshjeve politike.

“Duke e pasur parasysh pasigurinë për ndihmën e mëtejshme të SHBA-së, Ukraina mund të shpresojë vetëm se BE-ja më në fund do ta miratojë paketën e saj të ndihmës prej 50 miliardë eurosh të njoftuar prej kohësh”, ka thënë Trebesch. Vonesa e mëtejshme do ta forconte ndjeshëm Rusinë.

Kundërshtimi i Hungarisë

Vendimi për ndihmën e BE-së pritet të merret në samitin e ardhshëm të krerëve të shteteve dhe qeverive në mes të dhjetorit. Mirëpo ka kundërshtime ndaj këtyre masave, për shembull nga Hungaria. Ukraina është mbrojtur kundër një pushtimi rus në shkallë të gjerë për më shumë se 21 muaj dhe është e varur nga ndihma e huaj.

Në disa raste, mund të mbështetet në programe shumëvjeçare që tashmë janë premtuar. Sipas studiuesve, shtetet anëtare të BE-së dhe institucionet evropiane të kombinuara tani ofrojnë më shumë ndihmë mbrojtëse sesa SHBA-ja, donatori më i madh i vetëm. Një nga programet kryesore të jashtëzakonshme është transferimi i avionëve luftarakë F-16 nga vende të ndryshme evropiane në Ukrainë./Index.hr

Përgatiti: Nuhi Shala