Institucionet shtetërore të gatshme për zgjedhjet e 14 shkurtit

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) Valdete Daka, ka thënë se Kosova si shtet i ri ka arritur të organizojë zgjedhje të lira, demokratike dhe në pajtim me standardet ndërkombëtare.

“Të dëshmojmë se si shtet i ri, jemi të aftë të organizojmë zgjedhje të lira dhe demokratike dhe të pranueshme për të gjithë ata që janë pjesë e procesit zgjedhor dhe ata që janë në garë”, tha Daka.

Këtë deklaratë Daka e tha gjatë konferencën e përbashkët për media nga të gjitha Institucionet nënshkruese të Memorandumit të Bashkëpunimit për Procesin Zgjedhor, në lidhje me përgatitjen e institucioneve për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

“I lus të gjithë ata që janë pjesë e garës t’i përmbahen rregullave të cilat janë në fuqi”, tha Daka.

Edhe Laura Pula nga Prokuroria e Shtetit, tha se bashkë me gjithë prokurorët dhe stafin përcjellës kanë finalizuar të gjitha procedurat operative.

“I kemi caktuar 88 prokuror së bashku me 40 zyrtar nga sistemi prokurorial që do të operojnë së bashku me Policinë e Kosovës”, tha ajo.

Pula ka bërë apel që të gjithë së bashku media e shoqëri civile, ditën e zgjedhjeve të raportojnë dhe e vetmja adresë për raportim sipas saj është Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit.

Edhe Fatime Dërmaku nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës tha se janë caktuar 30 gjyqtar kujdestar për ditën e zgjedhjeve.

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka caktuar 30 gjyqtar kujdestar për t’ju përgjigj kërkesave nga prokuroria e shtetit”, tha ajo.

Arbnesh Ajvazi nga Policia e Kosovës tha se kanë marrë masa dhe kanë hartuar planin operativ para gjatë dhe pas përfundimit të procesit zgjedhor.

“Inkurajojmë qytetarët dhe mediat të raportojnë çdo parregullsi”, tha Ajvazi.

Kurse Shukri Sylejmani nga Paneli Zgjedhor Ankesa dhe Parashtesa (PZAP) tha se që nga shpallja e zgjedhjeve, kanë marrë të gjitha veprimet e nevojshme përgatitore dhe kanë kryer në afat ligjor të gjitha aktivitetet që janë kompetencë e PZAP-së.